Mustafa Nano – Në faqen time të “Facebook”-ut më zuri syri një shënim të
Ermal Hasimjes lidhur me raportimin e gazetarëve mbi çaprashitjet e
politikanëve dhe funksionarëve të lartë shtetërorë në ditën e
kërshëndellave: “Turp i përvitshëm për gazetarët dhe redaktorët që çdo
vit për festa fetare bëjnë lajmet më të mërzitshme të mundshme në ditën
më të bukur për besimtarët: mbushur me deklarata e hartime idiote
politike të njerëzve që nuk kanë lidhje as me Zotin e as me moralin. O
gazetarë: bëni lajme, jo qoka!”
Është një koment i ashpër? Nuk më duket. Dhe nuk është i pari Hasimja që e bën këtë koment. Si çdo vit në këtë datë, tok me raportimet e kësaj natyre, ka edhe komente të ndryshme, më të gjata se ky i Hasimjes, që bëjnë të njëjtin denoncim. Nuk shkon kjo punë. Nuk ka pikën e kuptimit. Është një raportim monoton, i mërzitshëm, banal, që nuk ka lidhje fare me ngjarjen e që nuk përbën lajm; përkundrazi, ka lidhje me maninë e politikanëve për të qenë protagonistë edhe në një ditë të tillë, dhe me maninë e gazetarëve për të trajtuar si informacion çdo gjë që del nga goja e politikanëve.
Për ta ilustruar këtë dukuri, po ju citoj më poshtë ca fraza të thëna nga eksponentët më të rëndësishëm të politikës, të partive, të shtetit, gjatë vizitave të ndryshme që këta kanë bërë në kisha të ndryshme ortodokse e katolike, në Tiranë e në qytete të tjera, te të cilat ka mbetur e varur vëmendja e reporterëve të televizioneve.
Presidenti thotë fraza neutrale, të cilat nuk kanë kohë; janë fraza që mund të vihen fare pa problem dhe në gojën e një anëtari të regjencës, në një nga vitet e para 1920: “Është një kënaqësi e veçantë, që me rastin e Festës së Krishtlindjes, t’ju shpreh urimet më të mira e të përzemërta. Kjo ditë e shenjtë e kalendarit të krishterë, e cila simbolizon ditën e lindjes së Krishtit dhe të forcimit të besimit në Zot….”
Kryeministri thotë fjalë të tjera që kanë lidhje me kontekstin, si gjithnjë: “Këto Krishtlindje festohen në 100-vjetorin e Pavarësisë…. Ata që shembën kishën 60 vite më parë, mbetën në rrënojat e atyre mureve; vlerave nuk u reziston asnjë mur dhe ky muri i fundit i bllokimit do të provohet si një mur letre në kohërat që vijnë”.
Topalli reciton fjalë pa ngjyrë: “Ky është një moment gëzimi, reflektimi, është një moment kur të gjithë duhet të përcjellim dashuri dhe paqe, sepse ai ishte qëllimi i shërbyesit të njerëzimit”.
Rama i fut kripë politike medemek të maskuar: “Ne besojmë në rilindjen shqiptare, e cila është më e domosdoshme se kurrë për të gjithë, përtej të gjitha përkatësive. Është një detyrim për të moshuarit, fëmijët, familjet dhe të gjithë shqiptarët që të jetojnë në një vend ku asgjë të mos jetë e parealizueshme”.
Topi është stërvitur me situata të tilla, dhe u duk sikur nxori nga xhepi ndonjë përshëndetje presidenciale me rastin e kërshëndellave të viteve të shkuara: “Uroj të gjithë shqiptarët e krishterë, ortodoksë dhe katolikë, për këtë festë të madhe që sjell shpresë. Qoftë një ditë e bekuar, e cila uron gjithë të mirat për Shqipërinë, shqiptarët dhe këdo”.
Meta është fjalëpak; heq shumë për të artikuluar një mendim në rrethana të tilla, por nuk mungon kurrë; pardje ish kapur nga një moment “empathik” për të varfrit: “Për Krishtlindje urimi shkon edhe për ata që gjenden në vështirësi”.
Nuk mund të mungonte Spahiu, i cili e kish mbajtur frymën tek Atë Nikollë Marku dhe u shfaq në versionin e njohur: “Atë Nikolla ka qenë në këto vite një nga mbrojtësit më të fortë të Kishës Autoqefale Shqiptare, një kishë ku fatkeqësisht kryepeshkopi Janullatos nuk gjen fonde për të mbuluar çatinë që pikon. Ne jemi këtu për t’u solidarizuar më gjithë shqiptarët”.
Këto pra, dhe të tjera, u janë shitur si lajme shqiptarëve nga televizionet në ditën e pardjeshme. Afërmendsh, nuk janë lajme. Janë deklarata boshe, ceremoniale, një qokë për t’u bërë nga ana e politikanëve, që merret si një lajm për t’u dhënë nga ne gazetarët.
Është vërtet një qokë për t’u bërë nga ana e politikanëve? Ndoshta kjo gjë mund të jetë e diskutueshme, por e vërteta është se kemi të bëjmë me një traditë që ka lindur tok me shtetin shqiptar. Krerët e shtetit e të qeverive, qysh në krye të herës, në shenjë të respektit për komunitetet fetare dhe në përpjekje për të përshëndetur e inkurajuar një klimë të tolerancës ndërfetare, kanë dhënë vazhdimisht mesazhe në ditë festash për besimtarët e të gjitha feve. Dhe është pikërisht kjo traditë që ndiqet nga këta të sotmit.
Në këtë kuptim, nuk është e keqja te vizitat që bëhen. E keqja është te meraku i politikanëve për të bërë protagonistin edhe në këtë ditë, për të njoftuar kamerat, e për të mbajtur një fjalë para tyre. Një vizitë në një kishë, në një xhami, a në një institucion tjetër fetar, edhe shkon në raste festash. Por nuk shkon hiç fjala që secili prej tyre mban. A nuk do të ishte mirë, që secili syresh të bënte qokën, e të ikte duke e lënë ngrehur interesin e gazetarëve, d.m.th. pa thënë asnjë fjalë për publikun? A nuk do të ishte e udhës që në rrethana të tilla të mos bënin protagonistin? Si dreqin ka mundësi që nuk jetojnë sadopak me idenë se pushtimi i hapësirës publike edhe në ditë të tilla, kur skena u takon besimtarëve, është një gjest aspak elegant, i pashijshëm, vulgar?
Me sa duket nuk jetojnë me këtë ide. Por fajin më të madh në këtë histori e kemi ne gazetarët, që u shkojmë pas avazit. Është një nga momentet tona të mendjelehtësisë, është një nga momentet, kur ne e komprometojmë keqas profesionin tonë, duke shitur – po përsëris nënvizimin e mëparshëm – një qokë për lajm. Kuptohet, nuk është rrethana e parë që e bëjmë, nuk është as rrethana më e rëndë. Por është një rrethanë, në të cilën mëkati ynë i shndërrimit të mass-medias në një instrument të verbër të politikës bie qartazi në sy.
Top Channel