Boateng: El Shaarawy do të bëhet si Ibra

27/12/2012 00:00

“Nëse El Shaarawy vazhdon kështu, do të jetë me siguri në nivelet e Ibrahimovic”. Me këto fjalë, Kevin Prince Boateng e “vesh” zyrtarisht “Faraonin” si liderin e ri të Milan-it.

“Një sulmues si Ibra krijonte shumë hapësira për lojtarë si unë apo Nocerino, atëherë kishim më shumë mundësi për të depërtuar në thellësi, – thotë ai për Die Welt. – Tashmë është më e vështirë, por jemi përmirësuar shumë dhe kemi pothuajse një Ibra të ri: El Shaarawy. Ëndrra ime? Të fitoj Champions League”.

“Në Champions është shumë e vështirë, është i treti vit që përballemi me Barcelona-n, por në 2 ndeshje është gjithcka e mundshme, cdo gjë mund të ndodhë, – paralajmëron Boateng. – Gjithmonë kam ëndërruar të luaj në Champions dhe, natyrshëm, edhe ta fitoj atë. Është trofeu më i rëndësishëm për një skuadër futbolli, pasi aty luajnë ekipet më të mira dhe vetëm më të mirët fitojnë”.

Ëndrra tjetër është ajo e të luajturit si organizator: “Kemi provuar shumë gjëra, sepse u bënë shumë ndryshime, por gjithmonë e kam thënë se më pëlqen të luaj si trekuartist, mbrapa sulmuesve, – shpjegon ai, duke vënë theksin te skemat 4-2-3-1 apo 4-4-2 në formë rombi. – Kur luaj si numër “10”, kam lirshmërinë time, është roli që preferoj më shumë”.

Brazil, Pato shumë pranë Corinthians

Pato është gjithnjë e më pranë Corinthians. Takimi mes administratorit të deleguar kuqezi, Adriano Galliani, dhe klubit brazilian ka përfunduar me sukses. Palët janë pranë marrëveshjes, mbeten për t’u diskutuar vetëm detajet e fundit.

Kalimi, duke përjashtuar ngjarje të papritura, mund të bëhet për një shifër rreth 15 milionë euro. Takimi deciziv është parashikuar për vitin e ardhshëm, pas festave.

Për Robinho-n, ka lindur një pistë e re pas “Jo”-së së Flamengo-s, ajo e Atletico Mineiro, për të cilin cmimi i kërkuar nga kuqezinjtë është tepër i lartë (10 milionë euro).

Top Channel