Viti 2012 ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë, jo vetëm për shkak të 100-vjetorit të pavarësisë, por edhe për ngjarjet dhe zhvillimet e shumta politike që ai solli.

Kështu, midis momenteve më të rëndësishme të vitit, do të përfshihej zgjedhja e Presidentit të ri të Republikës, shkarkimi dhe emërimi i kryetarit të SHISH-it, debati dhe ndryshimi i Prokurores së Përgjithshme, vizita e Hillary Clinton, festimet e ndara për pavarësinë, greva dhe protesta e ish-të përndjekurve, themelimi i Alencës Kuqezi e Frymës së Re Demokratike, etj.

Pikërisht, ndërsa mbeten edhe disa ditë drejt mbylljes së këtij viti, Sokol Balla, “ftoi në studio” momentet vendimtare politike dhe deklaratat kyçe të verifikuara në “Top-Story”, për t’i bërë një rikalim të gjithë asaj qe do te mbajme mend nga kjo 2012.

Një-vjetori i 21-janarit
Viti 2012 nisi me një përvjetor të hidhur, atë të një-vjetorit të protestave të 21 janarit. Në një moment kur hetimet dhe polemikat ishin në kulmin e tyre, në studion e “Top-Story” komentoi ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Alexander Arvizu, i cili konfirmoi pritjen e ekspertizës së FBI-së. “Ekspertiza ka mbërritur. Ka pasur elemente, kërkesa të ndryshme që janë dorëzuar nga prokurorët në kohë të ndryshme, që më pas i janë dorëzuar FBI-së. Shpresoj që qeveria dhe autoritetet të pranojnë rezultatet e FBI-së pasi nga perspektiva amerikane, pavarësisht implikimeve të shumta, besoj se do të ishte një precedent i gjerë që të mos pranohen provat dhe nëse kjo do të ndodhte, do të ishte problem i madh”, deklaroi atëherë Arvizu në “Top-Story”.

Procesi i integrimit të vendit
Ndërsa integrimi i vendit ka mbizotëruar retorikën politike të vitit, ish-ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, shprehej në shkurt optimist për fitimin e statusit të vendit kandidat nga BE. “Përsa i takon bashkimit të shqiptarëve, ai mund të realizohet vetëm në BE. Sot shqiptarët lëvizin të lirë, në çdo trevë. Duke ndërtuar infrastrukturë, duke unifikuar tekstet arsimorë, duke i bërë kontribues që të ecin sa më shpejt shtetet ku jetojnë që të futen në BE”, tha atëherë Haxhinasto. “Politika në rajon e Shqipërisë është një faktor stabiliteti dhe jo se na lavdërojnë të huajt, por falë qëndrimeve tona konstruktive. Imazhi? Jam dakord që imazhi është një sfidë e madhe e diplomacisë, por jo vetëm e saj, pasi është një kontribut kombëtar. Edhe mënyra si udhëtojmë është një kontribut dhe sot kemi rekordin më të mirë të respektimit të marrëveshjes së lirisë së lëvizjes. Por, ky imazh nuk mund të përmirësohet me një opozitë që bojkoton vendin”.

Themelimi i Aleancës Kuqezi
Aleanca Kuqezi ishte një risi që e solli viti 2012. Megjithatë, shumë përpara se deklaratat nacionaliste të 100-vjetorit të bëheshin objekt kritikash ndërkombëtare, nënkryetari i dorëhequr i KLD-së u thirr në një vizitë enigmatike në Uashington. Menjëherë pas kthimit, erdhi në një rrëfim të gjatë në “Top-Story”, emisionin ku u shfaq edhe dy herë të tjera gjatë vitit. Në mars, për herë të parë, Spahiu foli për rëndësinë e një ndryshimi thelbësor politik. “Nevojitet një erë ndryshimesh që kërkon të pastrojë këtë skenë të politikës nga ky ujë i ndotur, i cili fatkeqësisht e ka emrin pluralizëm, por është fiktiv, artificial, i cili është dëmtuar në formulë dhe themelet e tij, që është ndryshimi, rotacioni dhe zgjedhjet e lirshme dhe të ndershme, jo vetëm të përgjithshme, por edhe brenda partive”, deklaroi atëherë Spahiu. “Praktikisht, kemi thjesht një ndarje të disa pjellave të ish-diktatorit të fundit që kanë deleguar dhe krijuar disa parti, që kanë marrë role të së majtës e së djathtës, por që në të vërtetë vetëm kanë konsoliduar pushtetin e tyre personal”.

Fushata presidenciale, debati rreth Topallit
Ndërsa afronte momenti i zgjedhjes së presidentit, kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, shihej gjithmonë e më shumë si kandidatja e preferuar e maxhorancës. Për herë të parë, me një gjuhë të ndryshme foli në “Top-Story”, ministri Sokol Olldashi. “Maxhoranca nuk ka një kandidat. E gjithë vorbulla që është krijuar me emrin e presidentit ka qenë a mund të jetë ky propozim. Ka vetëm një deklaratë nga kryeministri, që thotë se çdo drejtues i PD-së plotëson kushtet që të jetë president. Emër potencialisht i mundshëm mbeten të tre ato që ju përmendni, si Topalli, Bode e Beja. Të tre mbushin moshën dhe kanë kontributin e tyre të caktuar politik”.

Nano kandidohet për president, reagimet e spektrit politik
Kandidimi i ish-kryeministrit Fatos Nano, për postin e Presidentit të Republikës, ndodhi pikërisht në studion e Sokol Ballës, në “Top-Story”. Reagimet që pasuan, gjithashtu në të njëjtën studio. Një javë pas kandidimit të tij, kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, do të deklaronte: “Mund të mos jeni dakord me mua edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, por unë nuk kam të drejtë ta kundërshtoj. Ky është një proces politik dhe moral, që ne kërkojmë me këmbëngulje, të zhvillohen negociata dhe një proces politik, që është refuzuar deri tani nga Berisha

“Top-Story”, kronologjia hap pas hapi e procesit të zgjedhjet se presidentit
Procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës u përcoll i gjithi në “Top-Story”, në studion e Sokol Ballës, ku u krijua debat, lindën ide, u propozuan dhe u tërhoqën kandidatura. Pa dyshim, në fund, në të njëjtën studio mbërriti presidenti i ri, zoti Bujar Nishani.

Bamir Topi: “Rikandidimi im është një kapitull i mbyllur, i mbyllur nga ata që të më largojnë, qoftë me ngritje në detyrë”.

Fatos Nano: “Ka një kohë për të folur. Unë, si politikan e qytetar i përgjithshëm kam bërë një ofertë, ofrova dijet me përvojën e kapacitetet e mia për të shërbyer, që klima e sotme politike të ndryshojë”.

Ilir Meta: “Takimin me Ramën nuk e kam problem, s’e kam shqetësim. Përpiqem që në kamera të jem ai që jam edhe jashtë. Nuk kam asnjë kompeks. Rekomandoj gjithashtu që Berisha dhe Rama të takohen jashtë kamerave, pasi kamerat do të ndryshonin thelbin e takimit”.

Edi Rama: “Meta është zgjatim i qeverisë dhe nuk është zgjatim dosido, por zgjatimi që e mban qeverinë në këmbë. Përsa kohë do të jetë në këtë pozitë, as që ia vlen të takohesh”. Megjithatë, një takim i shumëpërfolur Rama-Meta ndodhi në Gjirin e Lalëzit, ashtu siç e parashikoi zoti Meta në “Top-Story”.

Kryeministri Berisha (nga foltorja e Parlamentit): “Një ditë të bukur shohim Nanon, që ekspozon platformën te Sokol Balla”.

Edi Rama: “Është një diversion ndaj PS. Nuk e di me sa seriozitet është hedhur emri në tavolinë, me sa seriozitet është trajtuar në tavolinë. Ju siguroj se serioziteti ka lënë shumë për të dëshiruar në mënyrën se si mazhoranca ka trajtuar procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës”.

Sokol Balla: “Në tre pa një çerek, nga komunikimi me Artan Hoxhën për ta pasur të ftuar, erdhi një konfirmim që do të jetë nesër në “Top-Story”, si një kandidat apo president”.

Mustafa Nano: “E pabesueshme që pas disa orësh, do të jem shtetas i Republikës, ku president do të jetë Artan Hoxha. Nga Ismail Qemali te Hoxha, më bën të rrjedh ky progres. Unë si qytetar nuk do e njoh si president, do ia përmend emrin sa më pak, është një njeri që e përbuz si person. E njoh mirë karrierën e tij. Historia që di është se andej nga viti 1992-93, Berisha dukej i sigurt se Hoxha ishte i korruptuar, donte ta hiqte nga qeveria dhe i çoi Meksit dosjen e spiunit të tij”.

Ilir Meta: “Kjo figurë, Artan Hoxha, sillte polarizim nga pala tjetër. Unë jam takuar me zotin Berisha dhe me të, kur ai gjykoi dhe vlerësoi edhe pas diskutimit me ne, që në këto kushte, në rast se mendohet se duhet të largohej, do ta bënte këtë pa asnjë problem. Thelbi i promovimit të kësaj kandidature, nga ana jonë përsëri, ishte përsëri për të ecur me një figurë jopartiake”.

Bujar Nishani: “Si President, pavarësisht profilit tim të shkuar politik, do të jem absolutisht në gjendje të ruaj pavarësinë time në rolin dhe zgjedhjet e kryetarëve të institucioneve”.

Majko: Front i përbashkët në zgjedhjet e 2013-s
Ish-kryeministri Pandeli Majko erdhi në “Top-Story”, në një intervistë të gjatë dhe të fortë, kur hodhi idenë e krijimit të një fronti unik në zgjedhjet e 2013-s. “PS i duhet më shumë një rifresktim se sa rilindje. I duhet një rifreskim i shikimit të spektrit opozitar përpara 2013-s. Qoftë FRD, qoftë AK, për mua janë aleatë të natyrshëm të PS-së dhe opozicionit në Shqipëri”. Përsëri në “Top-Story”, në datën 8 nëntor, edhe lideri i Partisë Socialiste, Edi Rama, artikuloi të njëjtin qëndrim, duke theksuar se në kushtet e tanishme, të gjitha partitë kundërshtare të mazhorancës duhet të bashkohen në një front unik për të rrëzuar kryeministrin Berisha.

Bamir Topi i bashkohet FRD-së
“Diskutuam me Oketën javën që vjen, për të bërë të mundur një vendimmarrje finale, që me siguri do të vijë në fund të gushtit ose në fillim të shtatorit. Unë asnjëherë nuk kam kërkuar të bëhem president, ka qenë një propozim i drejtpërdrejtë i kryetarit të maxhorancës dhe përgjigja nuk ka ardhur menjëherë”.

Protesta e ish-të përndjekurve
Një protestë që për shumë kohë mbeti në heshtje, ishte “Top-Story” ai që i dha për herë të parë zë, duke e bërë pjesë të debatit politik. “Këta ne nuk na duan. Na kanë lodhur psikologjikisht. Të gjithë ish-sigurimsat janë me pallate e prona. Në semafor të qëndrosh disa minuta bëhet sensacion, por imagjinoni 22 vjet pritje”, deklaroi përpara konsumimit të tragjedisë së vetdjegies, i mbijetuar Gjergj Ndreca. Pas tij, Lirak Bejko, mbeti viktimë e të njëjtit akt, edhe ai i paralajmëruar në “Top-Story”.

Riafrimi opozitë-Uashington
Në ditën që u kthye nga Uashingtoni, kryesocialisti Edi Rama mbërriti në studion e “Top-Story”-t, për të sinjalizuar për një afrim historik me SHBA-në, që vëzhguan në heshtje kur atij iu privua Bashkia e Tiranës. “Takimi kishte një rëndësi të dorës së parë, pikërisht sepse na u dha mundësia që të shpalosim vizionin tonë për një rilindje shqiptare edhe të tregojmë me radhë hapat, që kemi vullnetin të ndjekim, në funksion të përshpejtimit të integrimit. Moment i rëndësishëm për opozitën ishte kontakti i drejtpërdrejtë me zyrtarët e lartë amerikanë, direkt përgjegjës për rajonin dhe Shqipërinë”, deklaroi atëherë Rama.

Dështimi i privatizimit te Albpetrolit
Dështimi i privatizimit më të bujshëm të vitit, ai i “Albpetrolit”, u bë disa herë objekt debatesh në “Top-Story”, duke nisur nga muaji mars, kur Braçe denoncoi ndryshimet në ligjet për privatizimin. “Ligji për përcaktimin e formës së strukturës së shoqërisë ”Albpetrol SH.A.” është ky, siç hyri në Parlament në datën 31.10.2011. Ligji në nenin 2 thotë: Forma e privatizimit të jetë ajo e transferimit të së drejtës së pronësisë së aksioneve të kapitalit të shoqërisë tek investitorët strategjikë. Pra, privatizohet vetëm e drejta e pronësisë së aksioneve të kapitalit. Pra nuk ka të drejta të tjera. Neni 3, 100% të kapitalit u ofrohen kompanive të specializuara, e kapitalit të shoqërisë. Katër muaj më pas, në 8 shkurt 2012, vjen një ligj tjetër, për ndryshime në ligjin në fjalë, ku asaj kompanie që do të privatizojë “Albpetrolin”, i jepet e drejta e administrimit të të drejtave financiare ndaj tre kompanive të tjera”.

Kërkesa e Topit për rotacion politik
Në fundin e presidencës së tij, Bamir Topi shpërtheu kundër qeverisë Berisha në studion e Sokol Ballës. “Kemi një çorbë të gatuar nga dy individë, një në krye të opozitës dhe një në maxhorancë, që bënë ndryshimet kushtetuese pa u menduar. Këtë amatorizëm politik, dëshirën për të dominuar çdo pushtet, sot e vuajnë institucionet dhe njerëzit. Pse kalojmë nga një diktaturë e re në efektet e një tjetre? Si mund të thotë ndryshe presidenti, kur TVSH, i cili funksionon me taksat e shqiptarëve, është një institucion në dorë të kryeminisrit. Opozita vetëm ëndërron karrigen e pushtetit, por ajo ka detyrim që të përfaqësojë dhe të kontrollojë pushtetin, i cili ka gjithmonë tendencën për ekspansion”, deklaroi atëherë ish-presidenti.

Akuzat e ashpra të Withers: “Shqipëria buzë greminës”
Pjesa e dytë e “Top-Story” nisi në SHBA, në shtëpinë e ish-ambasadorit John Withers. Ai bëri akuza të forta, duke thënë se Shqipëria po rrezikonte buzën e greminës, të marrjes në kontroll të të gjithë institucioneve nga ana e qeverisë dhe parashikimi i tyre i zymtë, u verifikua në muajt pasardhës. Për 2013-n, ai kërkoi rotacion. “Duke parë atë që po ndodh, situata është përkeqësuar. Frika për atë që do të ndodhte me institucionet demokratike ndodhi. Nuk po merrem me individin Nishani, por me faktin se është një besnik i PD-së dhe dyshoj që do të demonstrojë që është i pavarur kur të duhet të ngrihet kundër vullnetit të Berishës. Cilët janë njerëzit që do të emërojë ai, a mund të qëndrojnë ata të pathyeshëm ndaj presionit të mazhorancës? Për momentin, Shqipëria po qëndron në buzë të greminës”, tha Withers, duke i rënë “këmbënave të alarmit”.  

Çështja e ujrave me Greqine
Disa javë përpara deklaratave nacionaliste të kryeministri Berisha, ministri i Jashtëm, Edmond Panariti, në “Top-Story” la të kuptohej se qëndrimi i Tiranës zyrtare ndaj çështjeve nacionaliste kishte pësuar një ndryshim të dukshëm. “Çështja e kufirit detar është mbyllur një herë e mirë me konventa dhe është i vendosur, por ne duhet të diskutojmë për zonat e eksluzivitet ekonomik, ku edhe Shqipëria ka interes të dijë sovranitetin mbi këto zona. Kjo do të jetë pjesë e marrëveshjes, për të cilën do të ulemi dhe bisedojmë vetëm kur të jemi gati. Marrëveshje të tilla janë komplekse, kërkojnë konsultim me kushtetutën, konventa, legjislacion, teknicienë, ekspertizë dhe kujtoj se demilitimi i ujrave shqiptaro-italiane kërkoi tetë vite kohë për t’u përcaktuar”.

Dështimi i marrjes së statusit të vendit kandidat
Dështimi i marrjes së statusit të vendit kandidat u trajtua gjerësisht në fillim të dhjetorit në “Top-Story”. Në këtë studio, për herë të parë, deputeti socialist, Ditmir Bushati, akuzoi se kjo qeveri, me deklaratat nacionaliste shantazhon Brukselin, duke i treguar se mund të shkojë edhe drejt lindjes nëse nuk do të marrë përkrahjen e tij.  “Kur unë thashë politika e jashtme ka qenë përgjithësisht e qëndrueshme, nuk harroj veprime të tilla, si UÇK që konsiderohej terroriste nga vetë zoti Berisha apo ku i bëhej thirrje delegacionit në Rambuje që të mos firmoste marrëveshjen”.

Vizita e Hillary Clinton
Vizita e Sekretares Amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, ishte një prej ngjarjeve që nga 2012-ta do të mbeten në histori. Atë ditë, në “Top-Story”, një panel ekspertësh komentoi domethënien e kësaj vizite. . “Promovimi që iu bë Shqipërisë nga administrata amerikane nuk mund të harrohet”, tha ministri Mediu. Për Bashkurtin, “ka një konotacion, sepse çështja shqiptare është gjithmonë në tryezën amerikane”. Nga ana e tij, deputeti Blushi deklaroi: “Vendimet e SHBA-së kanë ndikim direkt në fatet tona. Si shqiptar, për mua do të ishte njësoj si Obama dhe Romney, por si europian, nuk mund të fsheh preferencën për Obamën”.

Federata Shqiptare
Në vazhdën e reagimeve pas deklaratave nacionaliste në 100-vjetorin e pavarësisë, kryetari i Aleancës Kuqezi, Kreshnik Spahiu, për herë të parë parashtroi idenë e një federate mbarëshqiptare nga studio e Sokol Ballës. “Ne jemi të gatshëm për formulën që duhet të jetë një federatë dhe po lobojmë që të njohin federatën tonë në Ballkan, me dy njësi, që janë bashkimi i dy shteteve shqiptare, që ruajnë integritetin dhe nuk ndryshojnë kufijtë”.

Zgjedhjet e 2013-s, qëndrimi i mazhorancës
Gjashtë muajt nga zgjedhjet e përgjithshme, në “Top-Story”, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, komentoi: “Shqiptarët duhet të votojnë një plan të ri, një propozim të ri që u bëhet votuesve. Nuk flitet për një realitet, por për një hipotezë dhe ndaj nuk mund të jap definicion. Por, edhe po ta marr të mirëqënë, ajo që na mbetet për të bërë është që PD, as nuk lut dhe a i imponohet kujt për aleanca parazgjedhore apo paszgjedhore. Në këtë kuptim, jemi të përgatitur për të gjithë skenarët e mundshëm”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA