Kosova është republika e një vendi me partitizëm të pastabilizuar. Partitë e vendit janë ende të paformuara, me një mungesë evidente të bazamentit dhe platformës politike të tyre. Spektri partiak i vendit duket se po vijon periudhën e vet prologuese dhe se në horizont shfaqen kapituj të rinj të partizimit, pse jo edhe të riformësimit të tyre.
Partia me një krizë të gjatë formësimi dhe për rrjedhojë edhe lidershipi, mbetet Lidhja Demokratike e Kosovës, LDK-ja e kryesuar nga kreu aktual i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa. Kjo është partia që krijoi udhëheqësi historik i Kosovës, ish-presidenti Rugova. Periudha post Rugovë solli një udhëheqës të ri politik, i cili pati profilin luajal në krye të republikës rishtare, por nuk u ngrit dot në rolin dhe autoritetin bashkues të forcës së vet politike, duke e dorëzuar mandatin e kreut të ri të shtetit gati në njëkohësi me atë të kreut të forcës politike. Mospërputhja kushtetuese e dy mandateve, atij të kryetarit të LDK-së dhe të Presidentit të Republikës, si dhe mbarimi i mandatit presidencial, sollën që shumë shpejt pasardhësi i zotit Rugova, zoti Fatmir Sejdiu, të largohej nga kryesimi politik dhe për rrjedhojë edhe të dilte, ndoshta përkohësisht, nga politika aktive dhe loja eminente politike. Përballë LDK-së, partia e kryesuar nga Kryeministri në dy mandate, Hashim Thaçi, pra PDK të shndërrohej shumë shpejt në forcën kryesore të vendit. Përballë tyre, AAK e zotit Ramush Haradinaj promovoi si forcë të tretë autoritetin komplementar në politikën e Kosovës, madje duke alternuar sidomos në fazën e koalicionit të njohur LDK-AAK një rol luajal mes dy forcave rivale në qeverisjen e vendit. Këtë rol nisi ta imitonte në një farë mënyre në fazën e vet promovuese edhe AKR e zotit Behxhet Pacolli, saqë në zgjedhjet e para tre vjetëve ajo ia doli të impononte nevojën e përfshirjes në koalicionin qeverisës me PDK-në e Kryeministrit aktual.
Por pavarësisht nga zhvillimet dhe sidomos episode intensive të ndodhura në subjektin e jetës politike të Kosovës, udhëheqësia e vendit është në prova të njëpasnjëshme. Në provë jo vetëm për kryesim partiak, por më së shumti për përballimin e qeverisjes së një republike që është nën shantazhin, pengimin dhe “gurët nën rrota” nga shteti fqinj, Serbia, prej së cilës u shkëput pas 100 vjetësh robërie dhe okupacioni, jo vetëm politik. Partitë e shtuara në Kosovë janë organizmi i ri politik i paformuar, me një delikatesë të dukshme jo vetëm formuese, por më së shumti ndërgjegjësimi dhe përkatësie politike. Si shumë forca politike në Ballkanin e pas ‘90-s, partitë e Kosovës janë forca pa bazament ideologjik dhe programor. Në vitet e para të 10 vjetëshit të krijimit të tyre, pra në periudhën kur krijimi përkon me pavarësimin e vetë republikës, spikati dualiteti politik, mes LDK-së dhe partive që dolën prej UÇK-së. Madje në këtë fillesë kohore u duk sikur PDK-ja dhe AAK-ja ishin fraksione të së njëjtës lëvizje që doli si transformim i UÇK-së në parti politike. Ende në ditët e sotme, në ndërgjegjen e votuesve të Kosovës, afiniteti për shkak të trashëgimisë mes PDK-së dhe AAK-së është legjitim dhe madje mes tyre ndihet qartazi gara për të qenë besnike sa më shumë e idealit të dalë nga lufta çlirimtare.
Mirëpo koha politike tashmë ka ndryshuar. Partitë në Kosovë janë në përballje me një realitet të transformuar dhe me sfida që lidhen pikësëpari me cilësinë dhe drejtorientimin e shtetit të Kosovës në fatin ekzistencial dhe atë integrues të tij. Vizionet e shpalosura deri tani prej drejtuesve në radhë të qeverive, kanë qenë ato të bashkëpunëtorëve dhe partnerëve dëgjues dhe bindës ndaj faktorit ndërkombëtar dhe sidomos diplomacisë më imponuese. Në këto kushte, sfidat për qeverisje të cilësishme dhe dalëzotëse në fatin social dhe atë të nevojave ditore të shoqërisë dhe vendit, mbeten të pakapërcyera. Delikatesa e kabineteve qeverisëse, deri para pak muajve dukej se ishte forcuar, por pas daljes së ish-kryeministrit Haradinaj nga burgu, me statusin juridik të të pafajshmit, po rikthehet sërish dhe gjasat janë që në fillim të vitit që po troket, në Prishtinë të kemi lëvizje politike të rëndësishme.
Ndryshimet në qeverinë e Kosovës, janë bisedë dite jo vetëm në Prishtinë, por në një perimetër ballkanik dhe më specifikisht në Bruksel dhe Uashington. Mandati i Kryeministrit Thaçi është në ditëfundin e tij. Pritja që Kryeministri i bëri paraardhësit e njëkohësisht pretendentit të vetëshpallur për pasardhës në Aeroportin e Prishtinës, pas daljes nga Haga, nuk është gjë tjetër, veçse paradhoma e hapur e një marrëdhënieje të re politike mes dy vërsnikëve politikë që mbeten kohë pas kohe, në të njëjtën garë për të qenë udhëheqësit e partive të dala nga lufta. Të dy politikanët në fjalëfondamentinpolitik e kanë pashmangshmërisht të njëjtë. Por kjo marrëdhënie e re, a po përkon me një marrëveshje të re politike për vijimin e mandatit në bashkëqeverisje, apo do të kemi zhvillime të reja?
Në Prishtinë, kur shfaqen cikle të reja zhvillimesh politike, natyrshëm depërtojnë shumë “duar”. Ecejaket diplomatike bëhen jo vetëm më të shpeshta dhe hermetike, por protagonizmi i mbështjellë me konspiracionin e njohur shumëpalësh, sjell lëvizje të befta dhe shfaq aktorë të papritur. Në rastin e arritjes së pretenduar të një marrëveshjeje mes zotit Thaçi dhe zotit Haradinaj, përjashtohet mundësia e shfaqjes së aktorëve të papritur, por kjo nuk garanton paqen e brendshme mes aktorëve të investuar politikë si brenda PDK-ashtu edhe në spektrin tjetër politik.
Por a po orientohet marrëveshja apo akordi koalicionist Thaçi-Haradinaj drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme? Të gjitha gjasat janë që mes tyre të mos kemi një marrëveshje afatgjatë dhe aq më tepër një koalicion të qëndrueshëm që mishërohet në kabinetin e përfolur. Problemi për zotin Thaçi nuk është vetëm te dobësimi i qeverisjes dhe sidomos te kreditet e rëna të kabinetit të tij, për shkak të korrupsionit dhe propagandës faktologjike që kundërshtarët e tij partiakë dhe politikë kanë kryer gjatë kësaj periudhe. Problem për Kryeministrin aktual është diversiteti i brendshëm partiak, prej të cilit shkumëzueshëm vijon të ngrihet në dukje kryetari aktual i Kuvendit të Kosovës, zoti Krasniqi dhe disa mbështetës. Ky grup në ecurinë e polemikës partiake duket se po evidentohet si një fraksion real në PDK, në përballje kundërvënëse me Kryeministrin Thaçi. Nisur prej komenteve në shtyp, si dhe prej raportimeve për planin e përfolur Thaçi-Haradinaj, lehtësisht kuptohet se i dyti ka ngutje dhe i pari nuk ka siguri për rikompozimin e posteve jo vetëm në ekzekutiv, por edhe në zgjedhjet e njëkohshme presidenciale. Duket se në takimet post-burg të zotit Haradinaj, të dy aktorët kryesorë kanë rivendikuar një raport të kahershëm pozicionesh politike në kuadër spektri, por mesa duket nuk do të kenë plotësisht në dorë të konstruktojnë sipas arkitekturës së dëshirës së tyre formësimin e mandateve dhe portofolave politikë në institucionet e larta qeverisëse. Pengesat mes tyre, janë jo të gjitha të shfaqura. Mes aktorëve principalë, lartësohen “nyjat” e vështirësive, shprehej dikur francezi Baladyr. Në rastin e zotit Thaçi dhe projektortakut të tij aktual, principi është përmbajtësisht i munguar dhe formalisht i shumëshprehur. Skeptikët e rikthimit energjik të zotit Haradinaj në cilësinë e Kryeministrit pas dere, shtojnë në shumicën e medias europiane edhe argumentin se kjo mësymje e tij tenton qartazi riaktualizimin e energjisë dhe kapacitetit që dëshmoi kur u dorëhoq si kryeministër për t’iu vetëdorëzuar Hagës. Sidoqoftë, hileja tërheqëse e Kryeministrit Thaçi dhe ngutja rikthyese e Haradinajt, janë një moment i ri për kokështyrjet dhe autoritetin kontrollues që “bijtë e së njëjtës origjinë politike” po luajnë në skenën delikate politike të vendit.
Top Channel