2012, viti ekonomik në Top Show

26/12/2012 00:00

Në fund të këtij viti, bëhet një përmbledhje e situatës ekonomike të Shqipërisë, duke nisur nga konflikti Cez-Qeveri, privatizimi i Albpetrolit dhe deri te besueshmëria e firmave të huaja ndaj politikave dhe kushteve që ofron Shqipëria.

Të ftuar në Top Show ishin Arben Malaj, deputet i PS dhe ekspert i Financave Publike, Eduart Elezi, drejtor juridik i ERE, Pajtim Bello, ish-ministër i Energjitikës, Artan Gjergji, ekspert ekonomie, Sekretar i PDIU dhe Gjergj Buxhuku, Kryetar i Konfindustrisë.

Pajtim Bello: “Privatizimi i KESH-Shpërndarje u bë me një vendim të nxitur politikisht dhe jo profesional kundrejt një privati, që pavarësisht reputacionit të madh në Europë, ishte një vendim që u sulmua nga shumë specialistë në atë kohë, ashtu sikurse dhe opozita, që nuk e miratoi kalimin e ligjit për këtë privatizim.

Specialistët, në atë kohë, thanë se do të arrinim në një dështim dhe aktualisht po arrijmë në atë pikë. Tani nuk kemi thjesht një krizë për mungesën e energjisë elektrike, por kemi kaluar në një krizë financiare, e cila përfshin qindra mijëra euro, që ndikojnë direkt në buxhetin e shtetit.

Kjo është një bombë e kurdisur, e cila mund të na hedhë në erë të gjithëve, në muajin janar. Ka patur përgjegjësi politike në nisje. Jo vetëm Cez, një kompani me emër, por kushdo që të vinte dhe të privatizonte këtë kompani shtetërore, do të haste të njëjtat probleme, pasi përgjegjësia është e atyre që hodhën hapin e gabuar në fillim”.

Eduart Elezi: “Kishim një kompani vertikale të OSSH-së, e cila nuk kishte një performancë të duhur, apo që do të donim të kishte në të ardhmen, ndaj dhe u pa e duhur privatizimi. CEZ është e katërta në botë për nga reputacioni, me potencial të fuqishëm ekonomik, por ky sektor ishte problematik që në kohën, kur menaxhohej nga sistemi shtetëror.

Plani investimeve kishte dy rubrika: reduktimi i humbjeve në sistemin e shpërndarjes, si dhe investimet e CEZ, që do të jepnin efekte pozitive për qytetarët shqiptarë. Por, është parë tashmë se menaxhimi i CEZ nuk ka qenë aspak ai i duhuri”.

Gjergj Buxhuku: “Sektori strategjik në ekonominë shqiptare ka 10 vite është trajtuar njësoj në këto 10 vite, si për kompanitë e vogla, ashtu edhe për infrastrukturën bazë, mbi të cilën ndërtohet më pas e ardhmja. Këto kompani duhen të kenë, vec sensit të pasjes së përfitimeve, edhe detyrimin për të krijuar bazën, mbi të cilën të ecet më tej.

Nqs telefoni celular, paguan kosto por nuk është jetike me kalimin e kohës, energjia elektrike është një produkt jetik për njerëzimin. Nqs Cez do të performonte mirë në vende si Shqipëria, ku mungojnë shtyllat e krijimit të shtetit ligjor, atëherë do të kishim një situatë ndryshe nga aktualja.

Elementi i 3-të i dështimit është fakti që, në vazhdimësi, kanë dështuar edhe institucionet ndërkombëtare, duke i dalë krah Cez si dhe duke garantuar edhe një shifër të madhe financiare si garanci. KESH prodhon duke u sforcuar, ndërsa CEZ është një kanal i domosdoshëm përkohësisht, sepse e lejojnë ligjet, por nuk është jetik, pasi i ka ardhur fundi i ekzistencës së tij në vendin tonë”.

Arben Malaj: “Këtu kërkohet përgjegjshmëri maksimale, pasi janë tregje të rregulluara me ligje nga parlamenti. Funksioni i ERE është të mbrojnë tregun nga përfitimet abuzive nga kompanitë dhe nga kërkesat politike të qeverisë. Ajo që cdo qeveri tenton gjatë një privatizimi janë cilësia dhe kosto e privatizimit, të dyja këto të dështuara në rastin konkret.

Cez u duk si një privatizim që do të sillte atë, që gjithë shqiptarët do të dëshironin, por arritëm në këtë pikë, sepse edhe Cez ka problemet e tij. Por është ERE që duhet ta ndjekë hap pas hapi, është qeveria që duhet ta ndjeki ligjërisht, sepse nëse nuk paguhen faturat, nëse nuk i ofrohet terreni i duhur, cdo lloj kompanie që do të vijë këtu te ne, do të ketë probleme.

Banka Botërore, sigurisht që dal në krah të Buxhukut, ka vënë kusht 60 mln dollarë për përmirësimin e rrjetit, por me kusht që të rregullohen treguesit. Qeveria ka patur vonesa në investimet e Cez, kështu që kosto e dështimeve në sektorin e energjisë, jo vetëm nga Cez por edhe nga KESH, është e konsiderueshme dhe duhet fokusuar përgjegjësia.

Kompanitë private edhe në mes të Amerikës orientohen drejt abuzimeve, por është qeveria, ajo që duhet t’i ndalë me anë të ligjeve”.

Artan Gjergji: “Kosto financiare do të ketë, problematikë gjithashtu, por mjafton vullneti politik për të mos e lënë vendin drejt një humnere dhe gjithcka mund të zgjidhet, pasi e ka një zgjidhje.

Nën menaxhimin e Bojaxhiut, një ekspert energjitike, arritëm në një pikë të suksesshme, duke prekur përmirësimet e dukshme, pasi dimë që shqiptarët kishin mungesa energjie deri para pak kohësh, para privatizimit të këtij sektori.

Shqipëria, pavarësisht qeverive në pushtet, ka qenë gjithmonë inferiore në historinë e privatizimeve. Rusia e deri te Maqedonia kanë qenë shumë patriotë të privatizimeve të sektorëve jetikë, duke mbajtur 45% të aksioneve, ndërsa ne këtë e kemi problem, duke mos lënë pasuri në duart e shqiptarëve. Ne kemi inferioritet politik.

Asnjë prej nesh nuk ka ndonjë problem me CV e Cez, një kompani tepër serioze, në momentin e privatizimit. Cekët ishin një kompani “e përkëdhelur” dhe e mbështetur nga disa aktorë të qeverisë. Por, Cez duhet të garantojë energjinë për cdo qytetar në cdo moment, duke krijuar lehtësira, por nuk tregon seriozitet duke kuruar imazhin. Cez-in e kanë vjedhur vazhdimisht vet punonjësit e tij”.

Pajtim Bello: “Në privatizim duhej makro dhe mikro politika. Por qeveria bëri një “kërcim” së larti dhe së gjati në të njëjtën kohë, në atë moment, duke bërë një “saltro mortale”.

Gabimi ishte i madh dhe i rëndë, i cili u shoqërua me këto pasoja të pashmangshme, privatizimi i sektorit energjitik nuk mund të bëhet, sapo dikush të cohet në mëngjes edhe të thotë se pa në ëndërr këtë privatizim, e kështu duhej bërë menjëherë”.

Eduart Elezi: “Në lidhje me operimin e Cez treguesit e humbjeve kanë qenë në rritje. OSSH ka patur probleme dhe kthesa e Cez nuk pritej të ishte brenda 1 viti, kështu që ERE ka miratuar shpenzime operative për mirëmbajtjen e rrjetit e të tjera, për t’i krijuar lehtësira Cez.

ERE hartoi një kontratë cilësore në lidhjen me shërbimin e Cez ndaj konsumatorit shqiptar. Politika është art, por përgjegjësia duhet ndarë në momente kritike. Cez ka keqperformuar në Shqipëri, duke mos arritur rezultatet e pritshme. Ai duhej të ofronte energji pa ndërprerje dhe të kishte një reduktim humbjesh drejt liberalizimit të tregut. Por, keqmenaxhimi i tij na ka sjellë në këtë moment, për të cilin po diskutojmë”.

Arben Malaj: “Shkallën e fajësisë e ka për detyrë ta përcaktojë ERE dhe nuk mund t’ia japim një kompanie private. Largimi i CEZ, sigurisht, nëse do të humbasë licencën, atëherë do të nxjerrë vet në shitje aksionet e saj, dhe jo të nxirren nga qeveria, sic kemi dëgjuar.

Do të kemi kosto buxhetore nga rritja e importit si dhe nga cështja arbitrare mes CEZ dhe Qeverisë, nëse kjo prishje kontrate do të shkojë deri në Arbitrazh. Duhet të mos ketë një shpërndarje të sektorëve të energjitikës, pasi gjithë kostoja do i kalojë buxhetit dhe taksapaguesve, konkretisht popullit.

Po të përmirësohet ERE dhe qeverisja në pushtet, le të shkojë vet Cez në gjykatë dhe të ngrejë padi ndaj komunave dhe bashkive, teksa këta të fundit duhet të ndërgjegjësohen se nëse nuk paguajnë, atëherë nuk do të kenë këtë shërbim. S’ka pse të ndërhyjë shteti, por të monitorojë situatën ERE”.

Gjergj Buxhuku: “Mësimi i parë është se ne duhet të mendohemi shumë herë për privatizimin e një sektori jetik. Nuk ka asnjë vend në Europë, që të mos ketë monopol të vetin një pjesë të sektorëve jetikë, si përshembull në Itali, ku ka një psikologji mes qytetarëve për pagueshmërinë, ka ligjet e konsoliduara dhe bashkëpunim mes palëve të përfshira. Në aspektin teknik ERE nuk ka patur kontroll ndaj Cez, gjë që ka sjellë edhe aspekte korrupsioni, pasi nuk ka ndonjë problem për një kompani me miliona euro xhiro në vit ta bëjnë këtë gjë”.

Pajtim Bello: “Nuk jam pesimist për këtë gjë, por duhet ta pranojmë se do të vijë një situatë e rëndë, pasi sjellja e institucioneve është e së njëjtës natyrë si në fillimim e privatizimit. Qëndrimet e tyre janë aspak profesionale, duke mos iu nënshtruar analizave dhe nën ndikimin e politikës. Cez nuk heshti, por shpalli qëndrimet ligjore, duke dokumentuar shkeljet e shtetit dhe shpalli shitjen e aksioneve, një betejë, nga e cila ne jemi të humbur që në nisje, pasi do të humbasim dy herë, do të paguajmë minimalisht 200 milionë euro, duke goditur tregun e energjisë.

Cez nuk do të largohet pa marrë atë që i takon, pasi veprimet arbitrare të qeverisë do të shtojnë kostot për ne”.

Eduart Elezi: “Cez merr energjinë, nuk e paguan atë, dhe e shpërndan nëpër ujësjellësa, nuk merr lek prej këtyre, por kjo është një shifër shumë më e vogël nga detyrimet ligjore që ka Cez për të paguar. Ndaj dhe ERE ka marrë vendim, duke anuluar veprimet e Cez dhe duke e gjobitur mbi limitet e ligjit. Në 2012, sërish Cez nuk veproi mbi kushtet e kontratës, duke e penalizuar përsëri për mos import të energjisë për të mbuluar humbjet në sistemin e shpërndarjes.

Vijmë në një moment kur ERE filloi procedurën për heqjen e licences. Tani thjesht do të caktohet një administrator që do të menaxhojë kushtet e ERE-s. Cez vërtet mund t’i nxjerri në shitje aksionit e tij, por jo pa miratimin e ERE, pasi nuk mund t’ia japë aksionet një kompanie, që nuk përmbush kushtet e vendosura nga ERE, që fillimisht janë pranuar nga Cez në momentin e privatizimit.

Cez kërkoi një periudhë 5-vjecare deri në fund të 2014-s, për të shkuar në rregullimin e treguesve, që kishte pranuar dhe i kishim kërkuar ne, në momentin e marrjes në menaxhim të shpërndarjes”.

Gjergj Buxhuku: “Duhet të ballafaqohemi me një kompani, e cila ka shkelur kontratën. Nuk na intereson se si ka shkuar ajo deri në këtë pikë, pavarësisht se mund të kemi edhe një gjobë. Do të ballafaqohemi mbi bazën e ligjeve ndërkombëtare, pasi Cez e la me 55% humbje, në një kohë që e mori me 34% në momenti e privatizimit”.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA