KGB spiunonte familjen mbretërore britanike

24/12/2012 00:00

Ish-krerët e KGB-së, shërbimit sekret të ish-Bashkimit Sovjetik, pranuan për herë të parë publikisht se përgjatë viteve të Luftës së Ftohtë kanë përgjuar anëtarë të familjes mbretërore britanike.

Viktimë e përgjimeve të spiunëve të Moskës ka qenë Princesha Margaret. Ish-agjenti i KGB-së, Vadim Goncharov rrëfen se për përgjimin e Princeshës është përdorur telefoni, çakmaku, paketa e cigareve, madje edhe ora e dorës që ajo mbante.

Gjithcka ka ndodhur në Kopenhagen të Danimarkës në vitin 1964, thotë Goncharov. Misioni ynë ishte zbardhja e bisedave apo skandaleve të mundshme të princeshës për t’i përdorur ato më pas në dëmtimin e moralit britanik, shton ai.

Vetë Goncharov ka vdekur prej disa vitesh, por rrëfimet e tij u botuan në librin e analistit të inteligjencës, Gennady Sokolov me titullin “The Kremlin vs The Windsors” (Kremlini kundër Familjes Mbretërore).

Në libër përmendet edhe një përpjekje e dështuar në vitin 1953 për të përgjuar kryeministrin e ardhshëm britanik, Harold Wilson kur ky i fundit ndodhej në Moskë. Sipas autorit të librit, KGB infiltroi disa agjente të maskuara si prostituta në hotelin ku u vendos Wilson. Për publikun u botuan disa foto të shkrepura nga dhoma, por fytyra e kryeministrit të ardhshëm britanik nuk mund të shihet.

Kundër-spiunazhi britanik kish rënë në gjurmët e përgjimeve të mundshme të KGB-së, sidomos përgjatë viteve ‘70-80. Me rënien e komunizmit, Londra kërkoi më shumë informacion se cfarë është përgjuar, por në vitin 1994, rusët mohuan akuzat e përgjimit të familjes mbretërore.

Top Channel