Erza, Mjellma, Keleri, Maria dhe Ajseli, nga skuadra e Miriam Canit, ia
kanë dalë të shkojnë në “Netët Live”. Asnjë prej tyre nuk kënaqet me
kaq. “The Voice” është një derë e hapur drejt së ardhmes.

Erza Qerkini: Kam përjetuar çdo gjë në skenë

Erza Qerkini, vajza që vjen nga Gjilani, humbi përballjen e parë me Kelerin në “Knock Out”, por fitoi një shans të dytë nga Miriami për të shkuar në “Netët Live”. Talentin e saj për muzikë ia ka zbuluar mamaja e saj muzikante, e cila e ka shtyrë dhe e ka mbështetur në këtë rrugë. Por po kaq ka pasur edhe mbështetjen dhe besimin e të atit.

Teksa prisnit vendimin e Miriamit, a dyshuat ndonjëherë se do të ishit ju e përzgjedhura e pestë?

Gjatë performancës së fundit të “Knock Out” e kam përjetuar dhe e kam ndier çdo gjë që kam bërë në skenë. Sado që mendoja që edhe nëse nuk do të kaloja në “Netët Live”, nuk do të ndaloja së bëri muzikë, doja aq shumë të isha në këtë fazë, sa ndjenjat i mundën mendimet dhe lutesha që të isha në pesëshen e Miriamit! Në ato momente përjeton sa besimin që do ia dalësh, aq edhe mendimin se kjo eksperiencë mbaroi aty. Momenti kur Miriami tha emrin tim, ndërkohë që tre konkurrentë të talentuar gjendeshin në krahun tim, është i papërshkrueshëm. Të vjen të qash nga gëzimi. (Qesh)

Sa konkurrentë dhe sa miq jeni në “The Voice?

Ditët që kam kaluar në “The Voice” për mua kanë qenë më të bukurat e jetës, të mbushura plot emocione, të cilat s’kam pasur rastin t’i përjetoj ndonjëherë! Përveç punës dhe trajnimit me një profesioniste si Miriam Cani, nga e cila kam mësuar shumë, kam fituar një shoqëri të mrekullueshme. Kemi ndarë emocionet, kemi marrë komentet dhe këshillat e njëri-tjetrit, kemi folur, kemi qeshur me të vërtetë dhe nuk e kam ndier asnjëherë konkurrencën me asnjërin prej tyre, edhe pse të gjithë punojmë dhe luftojmë shumë për të njëjtën gjë!

Ju keni një formim muzikor. Çfarë menduat se do të jepte “The Voice” më shumë?

Unë jam rritur me muzikë, por muzika është një art që nuk përfundon kurrë. Është si një labirint që kur të duket që i ke gjetur fundin, e kupton se është vetëm fillimi! Kështu që gjithçka që mëson, çdo përvojë që merr, nuk është asnjëherë e tepërt!

Cili është synimi juaj në këtë garë?

“The Voice” do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në të ardhmen time. E di që do të jetë shumë e vështirë të arrij të jem e para, por ama di që edhe e ardhmja ime po ndryshon. Muzika për mua është gjithçka, është pasion, kështu që nuk është në pyetje vetëm triumfi për të ndryshuar një të ardhme. Duke falënderuar gjithë stafin e “The Voice” dhe familjen time që gjithmonë më kanë mbështetur, e them edhe njëherë që kam kaluar çastet më të veçanta të jetës sime me njerëz të veçantë.

Maria Duka: Dua t’ju befasoj në “Netët Live”

Maria Duka vjen nga qyteti i Vlorës. Ajo ishte fillimisht në skuadrën e Eltonit, por në fazën e “Betejave” ishte Miriami ajo që vendosi t’i japë një shans të dytë duke e mbajtur në këtë spektakël të madh. Tashmë ajo është studente e Gjuhë-Letërsisë, por marrëdhënia e saj me muzikën ka nisur që në moshë të vogël. Përballja për herë të parë me publikun dhe me mikrofonin ka ndodhur kur ishte 10 vjeçe, në Festivalin Ndërkombëtar në Durrës dhe mbetet e paharrueshme. Ka marrë pjesë më pas në festivalet e fëmijëve të organizuara në Vlorë, ku ka fituar çmime të para dhe të dyta. Eksperienca në “The Voice of Albania 2”, është e para përballje me një skenë të vërtetë.

Tashmë në “Netët Live”! Do të jetë gjithçka live në përballje me publikun dhe teleshikuesit. Si po e përjetoni këtë fazë?

Që në momentin që kalova fazën e “Audicioneve të verbra”, ka qenë në qëllimet e mia të prekja skenën e “Netëve Live”. E kam dëshiruar këtë sa herë që kaloja fazat dhe tani ndihem shumë e lumtur që arrita të jem pjesë e tyre. Është privilegj, por edhe përgjegjësi. Do më shumë punë dhe me padurim po pres t’i tregoj publikut më shumë potencial në vokal dhe performancë.

Nga skuadra e Eltonit, në atë të Miriamit! Sa do të donit të vazhdonte ky shans i dytë?

E cilësoj veten me shumë fat, prandaj e konsideroj të tillë edhe faktin që m’u dha një shans i dytë. Nëse vendos të bësh diçka të rëndësishme, është normale të impenjohesh seriozisht dhe deri në momentin që do të vazhdoj të jem në atë skenë, dua të vij çdo herë ndryshe. Ideja është të befasoj, prandaj dëshiroj që ky shans të vazhdojë sa më gjatë.

A është çmimi i madh synimi juaj?

Ambicia brenda meje për të rrëmbyer çmimin e madh ekziston. Kush nuk do e donte, por gjithsesi nuk është një ambicie e shfrenuar. Fundja gjithmonë duhet të jesh me këmbë në tokë që të mos arrish në zhgënjim. Përpos çmimit të madh, synimi është shumë punë, përkushtim, të performoj sa më mirë dhe të kënaqem pa fund. Këtë kënaqësi reciproke dua ta përcjell më së miri edhe te publiku.

Ajsel Abazi: Kam mësuar shumë në “The Voice”

Ajsel Abazi, 16-vjeçarja nga Tirana, kaloi në “Netët Live” pas përballjes me Eminin. Me muzikë ka nisur të merret që e vogël fare. “Nuk kishte këngë të re që dilte dhe unë të mos e mësoja menjëherë. Që në shkollën fillore unë aktivizohesha në aktivitetet që organizoheshin, ku këndoja si soliste. Kështu që me kalimin e kohës kuptova që muzika do të ishte objektivi im i së ardhmes. Konkurrova në Lice, ku aktualisht vazhdoj studimet për kanto”, tregon Ajsel.

Faza e “Knock Out” të vuri përballë Eminit. A e mendonit se do ta fitonit përballjen me të?

Nuk e prisja përballjen me Eminin dhe në ato momente është e vështirë të mendosh për fitore apo humbje. Gjithsecili pretendon më të mirën. Mendoja që do të kisha një tjetër kundërshtar, pasi unë dhe Emini mendoj se jemi të dy këngëtarë stili. Shpresoja që të dy do të shkonim në “Netët Live”, kështu që u kapa pak në befasi, gjë që më shtoi edhe më tepër emocionet dhe më stepi duke ndikuar negativisht në performancën time.

Çfarë do të jepni në këtë fazë?

“Netët Live” secili prej nesh i ka synuar, kështu që dua të vij me gjëra të reja, të eksperimentoj me disa rryma muzikore dhe të performoj më shumë. Sfida ime është të arrij të dominoj emocionet e shumta dhe të transmetoj te publiku atë që përjetoj kur këndoj. Ne e kemi të vështirë të përballemi me njëri-tjetrin, sepse jemi miq dhe nuk shihemi si kundërshtarë. “The Voice” është kthyer si një familje e madhe, pavarësisht skuadrave.

Pjesëmarrjen në “The Voice” e keni parë si një publicitet?

“The Voice” është një mundësi për të shprehur talentin, për të provuar veten dhe pse jo për të hapur dyer suksesi. Prandaj e shoh si një mundësi shumë të mirë në çdo aspekt. Këtu ndihmohemi dhe vlerësohemi nga katër trajnerë, secili profesionist në fushën e tij dhe është fat të punosh me ta dhe të përfitosh nga përvoja e tyre. Prandaj “The Voice” nuk e shoh thjesht si një publicitet për talentin, por si një eksperiencë nga e cila unë kam mësuar shumë.

Keler Sufja: Dua thjesht të përcjell emocion

Keler Sufja është i vetmi djalë në skuadrën e Miriamit që kalon në “Netët Live”. Ai vjen nga Lezha, qytet në të cilin ka nisur edhe angazhimet e para në muzikë. “The Voice” nuk është përballja e parë me skenën. Si pjesëtar i grupit hip-hop “L.R.C” ka konkurruar në “Top Fest” dhe “Kënga Magjike”. Ndonëse nuk i ka dashur konkurrimet, “The Voice of Albania” nuk e la indiferent. Përveç këtij pasioni për muzikën, Keleri është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në Shkodër.

Ju jeni i vetmi djalë në skuadrën e Miriamit. Ju bën kjo gjë të ndiheni i përkëdhelur?

Fakti që kam mbetur i vetmi djalë në ekipin e Miriamit nuk ndryshon asgjë në ndjesitë ose ecurinë time në “The Voice”, përveçse disa nga miqtë që kam njohur aty kanë ikur e të tjerë vazhdojnë të jenë ende.

“Knock Out” ju vuri përballë Erzës. Sa e prisnit të kalonit në “Netët live”?

Nuk e prisja aspak përballjen me Erzën, edhe pse ishte e drejtë, pasi këngët tona ishin të një kategorie që transmetonin shumë emocion. Kalimi në “Netët Live” ishte një emocion i papërshkrueshëm. Sado që më parë mund ta mendosh kualifikimin, nuk kanë të krahasuar ndjesitë që përjeton kur kualifikohesh realisht. Me pak fjalë, nuk e prisja.

Çfarë duhet të presë publiku nga ju në këtë fazë vendimtare?

Në “Netët live” publiku nuk duhet të presë asgjë speciale nga Keleri, përveçse Kelerin. Dua thjesht të përcjell emocion dhe pozitivitet e të sjell të zhveshur shpirtin e dëshirën që kam për muzikën.

Mjellma Berisha: “The Voice”, sfida më e madhe

Mjellma Berisha, vajza 25-vjeçare nga Peja, është një tjetër talent që ka vendosur të sprovojë veten në “The Voice”. Studion për Ekonomi, por pasionin për muzikën e ka ushqyer që në vogëli. Ka studiuar piano e më pas ka filluar të këndojë. Futja në grupin “Ikona” në vitin 2002 e mësoi të këndonte live. Pas shpërnguljes në Prishtinë për arsye të shkollës, gjeti mundësinë të bëhet pjesë e një tjetër grupi të njohur, “Hana Band”, me të cilët ka realizuar dy këngë, shoqëruar edhe me videoklipe. Një hap më tej për të ishte pjesëmarrja në “Top Fest 9”, me këngën e parë solo, titulluar “Jo”. Aktualisht vazhdon të jetë e angazhuar në mbrëmje live.

Fakti që kalove në “Netët live”, çfarë domethënie ka për ju?

Ndihem jashtëzakonisht e lumtur që jam pjesë e “Netëve live”, sepse më është shpërblyer dhe vlerësuar e gjithë puna deri më tani përmes performancave të mia. Fakti që është publiku ai që vendos nëse t’i do të kalosh në fazën tjetër më bën edhe më shumë përshtypje. Do të mundohem të shoh sa përshtypje u kam lënë atyre dhe të mos e zhgënjej trajneren time Miriam Canin, e cila po bën një punë të palodhshme me secilin prej nesh.

Pse vendosët të merrnit pjesë në “The Voice of Albania”?

Kisha dëshirë të provoja veten në mes shumë konkurrentëve të tjerë. Më pëlqejnë sfidat, ndaj “The Voice of Albania” për mua është ndër sfidat më të mëdha që kam pasur deri tani. Fakti që ky audicion ka një juri shumë profesionale dhe në fund ti vlerësohesh për mënyrën tënde të prezantimit, me ka shtyrë edhe më shumë që të marr pjesë. Është një eksperiencë e re nga ato që kam kaluar deri tani.

Kënga është një pasion apo e shihni edhe si një profesion të mundshëm?

Kënga ka qenë gjithmonë pasioni im dhe do të mbetet i njëjtë, mirëpo kur është fjala te profesioni, unë mendoj që me kalimin e  kohës, normal dhe me punën që bëj në këtë drejtim, e shoh edhe si një profesion të mundshëm!

Gazeta “Shqip”

Top Channel