Qeveria që sillet si opozitë

22/12/2012 00:00

Skender Minxhozi – Qeveria ngriti përfundimisht duart lart përballë
vendimit të Këshillit Europian për të mos i dhënë Shqipërisë statusin e
vendit kandidat për në BE.

Kryeministri dhe njerëzit pranë tij fajësuan edhe një herë opozitën për këtë rrëzim të tretë. Paralelisht me këtë justifikim publik, mazhoranca duket se ka gjetur edhe atë që e konsideron si kartën elektorale gjatë zgjedhjeve të qershorit. Fajin e ka, sipas saj, muri i bllokimit të opozitës, i cili duhet rrëzuar.

Kjo mazhorancë, që ka qenë në gjendje të gllabërojë gjithë shtetin në këta tetë vjet, që ka mundur të dhunojë, anashkalojë dhe shkelë me këmbë të gjitha institucionet kryesore të pavarura, që është kapur mbi 20 herë në shkelje nga Gjykata Kushtetuese pa e prishur fare terezinë, që zotëron sot e pashqetësuar një pushtet të gjithëfuqishëm që shtrihet në çdo pore të administratës, që s’do t’ia dijë as për korrupsionin spektakolar dhe as për paratë e buxhetit të shtetit, që i ka djegur në lumë brenda një ore fletët e votimit, kur s’ka dashur t’i numërojë, ose i ka mbledhur ato brenda 24 orëve ku ishin e ku s’ishin, vetëm e vetëm për t’i numëruar sa më parë, kjo mazhorancë pra, deklaron tani se qenka e rrethuar…nga opozita. E që për këtë arsye, deklaron se është e dobët, e pafuqishme për t’i gjetur një zgjidhje krizës së afrimit me Europën.

Ky shtet zotëron sot ushtrinë, policinë, burgjet, financat, çdo zyrë, vulë e shkresë, nga Jugu në Veri, por thotë se i ka dalë përpara një mur që s’po e kapërcen dot. Dikush mund të qeshë, dikush tjetër mund të tallet apo edhe të revoltohet. Ndonjë i tretë thjesht mund të ngrejë supet e të bëjë sikur nuk dëgjon, pasi ka kohë që i është flashkur instinkti dhe shqisa e reagimit. Por një gjë s’mund të mos thuhet, cilido qoftë humori apo qasja e shqiptarit të mesëm, teksa dëgjon këtë justifikim: kjo është deklarata më e pavërtetë dhe hipokrite që mund të bëjë një qeveri përballë qytetarëve të vet!

Alternimi i toneve triumfaliste, plot prerje shiritash, gjuhë të egër dhe arrogancë qeverisëse, me pasivitetin, pafuqinë formale dhe mbylljen në vetvete, sa herë që nuk arrihen objektivat europiane, janë një kontrast befasues në linjën politike të kësaj mazhorance. Kanë gjithçka në dorë, por njëherësh s’kanë fuqi të bëjnë asgjë, kjo është deviza e vetme e Berishës, kur përpiqet t’i gjejë një justifikim dështimeve të përsëritura të viteve të fundit në marrëdhëniet me BE. Kush mund ta besojë Kryeministrin e sotëm, i cili gjëmon nëpër tribuna e foltore, sulmon kokulur si një dem çdo kundërshtar që guxon t’i presë rrugën, e që papritur dorëzohet, tkurret dhe thotë: e shihni, s’më lënë t’ju çoj në Europë! E cili është ai shqiptar që e ka ndjekur karrierën politike të Sali Berishës, stilin e tij politik, komunikimin e tij publik, që mund të pranojë se ky lider politik, që në këtë përvjetor Pavarësie u tundua sa s’thuhet që ta krahasojë veten me gjithë burrat e mëdhenj të Kombit, por që nuk paska fuqi të bindë partinë kundërshtare për të votuar tri ligje!

Ky që po luhet është vetëm teatri i radhës. Madje kësaj radhe fabula është edhe më e dobët se herët e tjera. E ndodhur përballë zgjedhjeve, me një bilanc preokupant qeverisjeje, e zhytur në korrupsion, apati dhe konsum të llahtarshëm imazhi, qeveria aktuale po kërkon të gjejë gozhdën e Nastradinit, ku do të ngulë flamurin e fushatës së qershorit. Nuk ka punë, e ka fajin bllokimi, ka varfëri, bllokimi është shkaku, ra tërmet, sërish faji është i bllokimit, u përmbyt Shkodra, Drini doli nga shtrati prej bllokimit të opozitës! Kjo është pak a shumë formula “magjike” që qeveria ka gjetur për të sugjestionuar votuesin në verën e ardhshme, atëherë kur të hidhen zaret e pushtetit.

Në rrënojat e konsensusit për statusin e vendit kandidat gjatë këtij dimri, po ngjizet gradualisht platforma e ardhshme elektorale e Berishës, e cila do të fokusohet me shumë gjasë në një pikë të vetme: të shembim murin e bllokimit të opozitës. Pra, të rrudhim edhe më tej kundërshtarin, që më në fund të imponojmë atë që duam vetë. Paçka se me një logjikë të thjeshtë, duke parë që sistemi aktual zgjedhor do të nxjerrë sërish një rezultat të ngushtë, një dreq e di se ku planifikon Berisha t’i fitojë 84 mandate në 23 qershor. Pasi ai dhe Rama e dinë shumë mirë që në fund të rrugës së zgjedhjeve, do të kemi sërish një raport të ngushtë shifrash në Parlament. Pra, sërish fituesi do të detyrohet të paraqitet në derën e humbësit, për të gjetur konsensusin për tri ligjet e famshme të Europës.

Mazhoranca që qeveris sot Shqipërinë sillet prej shumë kohësh si të ishte opozitë, e jo si shumicë. Ky është një fenomen që i nxjerr në një dritë mjaft të shëmtuar liderë të fortë si Berisha e Meta. Ata e kanë të vështirë t’u shpjegojnë shqiptarëve se përse janë të gjithëfuqishëm në disa gjëra, e të pafuqishëm në disa të tjera. E vërteta e procesit të integrimit europian është se nuk ka qenë vetëm opozita në pozita të ngrira, por edhe qeveria. Kompromisi i munguar për statusin është një dështim i të dyja kampeve politike. Për këtë arsye, rrëzimi për herë të tretë në marrjen e statusit të vendit kandidat është shumë i vështirë të shpjegohet dhe aq më keq të justifikohet, vetëm me bllokimin e Ramës. Sepse ata që me votë janë zgjedhur të jenë drejtuesit e këtij procesi, nuk mund t’u shmangen përgjegjësive të tyre në proces. E vërteta është se ky dështim spektakolar në sytë e Brukselit, ka nga pas një përgjegjësi të përbashkët të klasës politike aktuale, ku hyjnë si socialistët, ashtu edhe demokratët. Megjithatë përpara kemi një palë zgjedhje dhe duam t’i fitojmë. Logjika le të hapë rrugën, nuk na duhet…

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA