Eda Zari, këngëtarja shqiptare me famë botërore e xhezit etnik, foli për fillesat e saj në muzikë, familjen dhe shumë tema të tjera në një intervistë për emisionin “Pasdite në Top Channel”.
Ajo kujtoi hapat e para të karrierës: “Fillesat i kam pasur në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Të kënduarit në kor ka qenë performanca ime e parë profesionale dhe ishte një emocion i veçantë. Më tej u aktivizova në festivalet e Radio Televizionit.”
Eda kujton se vendosi që të përdorte krenarinë e shqiptarit për të arritur objektivat që i kishte vënë vetes: “Kur shkova të studioja në Gjermani, mendova se më mirë do ishte të vija në punë kokëfortësinë e shqiptarit. Filluan që ëndrrat të kristalizoheshin dhe nisa të ballafaqohesha me skena të rëndësishme. Edhe fati më katapultoi dhe më ndihmoi në karrierë pasi njoha njerëzit e duhur në kohën e duhur.”
Në lidhje me titullin e albumit të saj të fundit, “Toka Incognita”, këngëtarja shpjegoi: “Mendova t’i vë një titull me të cilin identifikohem. Emër që tingullon më ndryshe, shqip dhe latinisht bashkë.”
Duke folur për familjen e saj, Eda u shpreh: “Babai im është “tironc” dhe nga ai kam marrë dashurinë për muzikën. Nëna ime donte që të bëhesha dentiste sepse sipas saj ishte një profesion që kishte të ardhura të sigurta. Ishte e vetmja që ishte dentiste në familje dhe nuk donte që unë t’i hyja rrugës së muzikës, por babai besonte shumë në karrierën time dhe ai më ka mbështetur.”
Eda shpjegoi edhe llojin e saj të muzikës: “Unë doja ta plotësoja veten dhe të bëja diçka rebele, të padisiplinuar… Duke marrë variantet muzikore u mundova të sillja diçka të tanishme. Nuk ishte diçka e planifikuar në detaje. Bëra një lloj koktejli. Perkusionisti im është një nga bashkëpunëtorët e ngushtë të këngëtarit të famshëm Sting, i cili i ka pëlqyer këngët e albumit që do të thotë se ka pëlqyer muzikën e popullit tonë. Atij i bëri më shumë përshtypje klarineta se sa zëri im.”
“Xhezi të ofron liri dhe mund të rebelohesh duke kënduar zbathur apo nga këndvështrimi muzikor. Xhezi të jep mundësinë e improvizimit. Kjo është bukuria dhe luksi i xhezit. Ai është po aq folklorik sa edhe modern”, shtoi Eda Zari, e cila është nënë e 2 djemve, 13 dhe 4 vjeç: “Ata kanë natyra të ndryshme dhe nuk ngjajnë shumë. I pari është i përkëdhelur dhe dashuron shumë muzikën.”
Top Channel