Robert De Niro mbështet plotësisht presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, në luftën e tij ndaj armëve në Amerikë. Aktori i famshëm hollivudian u shpreh se duhet të ketë më shumë kontroll në zotërimin e tyre nga njerëzit.
“Situata ka ikur jashtë kontrollit. Shumë thjeshtë mund të bëhesh zotërues i një arme dhe mendoj se duhet të ketë më shumë kontroll”, theksoi dy herë fituesi i çmimit Oscar, i cili shtoi se duhet kontrolluar edhe dhuna nëpër filma.
‘Nuk më pëlqen dhuna në çdo film, dhuna që nuk ka kuptim dhe që një film mund të bënte shumë mirë edhe pa të”, nënvizoi De Niro.
Gjithsesi, aktori veteran nuk është pro censurës: “Filmat janë si ëndrrat. Në filma bëhen gjëra që nuk mund të realizohen dot në jetën e përditshme. Është një ëndërr kolektive e audiencës dhe publiku e di që nuk është e vërtetë ose të paktën shumica e publikut. Fatkeqësisht ka njerëz që nuk e kuptojnë këtë.”
Top Channel