Platforma e Serbisë do ta njohë realitetin në Kosovë, por kërkon që të ketë edhe një entitet të Republikës Serbe, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë.

Deputetët në Kuvendin e Serbisë kanë thënë se kjo është një çështje e rëndësishme dhe e ndjeshme, por ende nuk do të bëhet publike.

Branko Ruzhiç, kryetar i grupit të socialistëve, ka thënë se platforma ka elemente të cilat pasqyrojnë realitetin në terren.

Ndërkaq, Millovan Dreçun, shef i Këshillit të Kuvendit për Kosovën, ka thënë se, nëse Serbia nuk gjen zgjidhje të shpejtë, atëherë do të përballet me krijimin e Shqipërisë së madhe.

Por, kjo zgjidhje nuk është e mirë për liberalët. Çedomir Jovanoviç ka theksuar se me këtë do të fitojë një destabilitet kronik, siç prodhon Bosnja e Hercegovina në Ballkan. Autonomia më e madhe që serbët mund të marrin, ka thënë Jovanoviç, është në planin Ahtisari.

Ndërkohë, Borisllav Stefanoviç i demokratëve dhe ish-shef i grupit për bisedimet, ka thënë se partia e tij do të mbështesë çdo zgjidhje realiste. “Kjo është një gjë pozitive, por mendoj se ky është spekulim”, ka thënë ai.

E përditshmja “Novosti” ka bërë të ditur se platforma e Serbisë për zgjidhjen e problemit të Kosovës përmban këtë ide.

Republika Srpska

Si funksionon entiteti i dytë i Bosnjë e Hercegovinës

Republika Srpska apo Serbe, është njëri nga dy entitetet apo kantonet e Bosnjës dhe Hercegovinës, kurse i pari është Federata e Bosnjës dhe Hercegovinës. Kryeqyteti i Bosnjës si shtet mbetet Sarajeva, por ai i Republikës Serbe Banjalluka.

Ky kanton ka presidentin dhe qeverinë e saj, ministritë, por edhe uniformat e forcave të rendit janë të ndryshme, ndonëse në vitin 2006 ato janë bashkuar për shkak të pjesëmarrjes në Partneritetin për Paqe.

Ky formim territorial ka gjykatën e tij supreme, lidhje të veçanta me Serbinë dhe një zyrë në Bruksel si përfaqësi në Bashkimin Evropian. Për valutë përdoren markat boshnjake.

Megjithatë, kjo zgjidhje për të ndaluar luftën në vitin 1995 nuk është treguar efikase për shkak se liderët nacionalistë serbë kanë kërcënuar me referendume për ndarjen e Bosnjës, ndërsa mesazhet kundër Sarajevës kanë qenë gjithnjë e më të fuqishme.

Millorad Dodik, presidenti i serbëve të Bosnjës, ka kritikuar dhe urryer çdo gjë që mund të quhet boshnjake, e deri te lufta kundër kombëtares boshnjake në futboll. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA