Komisioni i ekonomisë miratoi mes debatesh të ashpra, mes deputetëve të opozitës dhe atyre të mazhorancës, aktin normativ, që rishikon buxhetin e vitit 2012.
Në prezantimin e ndryshimeve kryesore, që parashikon ndërhyrja e qeverisë, zv. ministri i financave, Nezir Haldedaj, tha se të ardhurat totale rishikohen me një ulje prej 23 mld lekësh nga buxheti fillestar i vitit 2012.
“Të ardhurat totale rishikohen me një nivel në ulje në total, në nivel agregat, prej 23 mld nga buxheti fillestar i 2012-s. Nga këto tatimet dhe doganat në 15,2 mld, të ardhurat nga pushteti vendor me një ulje 3,5 mld, të ardhurat nga fondet speciale me 1 mld dhe të ardhurat jo tatimore me 2,5 mld më shumë. Të ardhurat nga ndihmat rishikohen me ulje prej 5,8 mld lekë”, tha Nezir Haldeda, zv. ministër i Financave.
Zv. ministri Haldedaj thotë se akti adreson mos realizimin e të ardhurave me një rritje të deficitit me 8.3 mld lekë, çka i shtohet stokut të borxhit, duke bërë që në fund të 2012-s të kemi një nivel të borxhit publik prej 61.2 për qind.
Në këtë pikë, deputetët e opozitës theksojnë se treguesit ekonomikë për 2013-ën do të jenë edhe më të përkeqësuar.
“Ky akt normativ adreson mos realizimin e të ardhurave të qeverisë qëndrore, jo me një shkurtim real të fondeve të qeverisë të buxhetuara, siç është vepruar herët e tjera, por kryesisht me një rritje të deficitit prej 8,3 mld lekë os 0,6% të PBB-së. Kjo i shtohet stokut të borxhit, pjesa që vjen nga huamarrja, dhe në fund të vitit 2012 vlerësohen në nivelin prej 61,2% të borxhit, në raport me PBB-në”, tha Nezir Hadedaj.
“Shqetësimi ynë kryesor është e gjithë barra e mos realizimit të të ardhurave ka shkuar në rritje të deficitit dhe bashkë me të edhe në rritje të borxhit. Kjo do të thotë se treguesit e vitit 2013, në pjesën e të ardhurave dhe elemetëve të tjerë, do të jenë të përkeqësuar. Shkalla e mos realizimit do të jetë e lartë dhe biznesi do të gjendet përballë të njëjtës eksperiencë”, tha Arben Malaj, deputet i PS.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ahmetaj shkoi edhe më tej, duke thënë se miratimi i një akti normativ me kaq shumë ndryshime tregon, jo vetëm dështimin e qeverisë, por edhe se vendi po shkon drejt një krize të thellë ekonomike.
“Të sjellësh një akt normativ 10 ditë para fundit të vitit dhe vetëm 4 ditë pas miratimit të buxhetit të vitit 2013, me shifra që ndryshojnë me 23 mld nga të ardhurat, 8 mld nga deficiti, gjë që do të thotë se ndryshojnë me rreth 12% afërsisht. Konkluzioni i kësaj është, së pari, qeveria nuk është serioze, së dyti, qeveria është e papërgatitur, së treti, qeveria nuk parashikon saktë dhe me qëllim në fakt, dhe së katërti, vendi jo vetëm është në krizë në 2012-n, por viti 2013 do të jetë një vit seriozisht i vështirë për ekonominë shqiptare”, përfundoi Arben Ahmetaj, deputet i PS.
Top Channel