Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor do të bien mesatarisht me 0,6% gjatë vitit aktual, tha Banka Botërore të martën, ndërsa rreziqet për 2013-n mbeten “jashtëzakonisht të mëdha”.
BB kishte rishikuar më parë rritjen ekonomike për të gjithë vendet e rajonit, përfshirë Shqipërinë, Bosnjen, Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Kosovën në 1,1%, por si rrjedhojë e ndikimeve të shtuara negative nga kriza e Eurozonës, recesioni mund të jetë edhe më i thellë se parashikimet.
Gjithashtu, rikuperimi në vitin 2013 pritet të jetë më gradual nga sa ishte menduar më parë, në një shifër të rritjes mesatare prej 1,6%, nga 2,6% që ishte parashikuar.
Zeljko Bogetiç, një kryeekonomist i Bankës Botërore dhe koordinator i politikave ekonomike në Ballkanin Perëndimor, deklaroi se ndërsa banka shpresonte që kriza e 2009-s të ishte vetëm një ndalesë e përkohshme, për fat të keq nuk ka ndodhur kështu.
“Pas recesionit të vitit 2009 dhe dy vite rritje të dobët për Ballkanin Perëndimor, shtetet e kësaj zone po përjetojnë një rënie të re, nga e cila është dëmtuar më shumë Serbia”, deklaroi eksperti.
Sipas parashikimeve, ekonomia e Serbisë, më e madhja e rajonit (të këtyre gjashtë shteteve, jo e Ballkanit në tërësi), do të tkurret me 2%.
Bosnja, Mali i Zi dhe Maqedonia, në rastin më të mirë do të mbeten në stanjacion deri në fund të 2012-s, ndërsa të vetmet që do të njohin rritje janë Kosova dhe Shqipëria.
Megjithatë, për vendin tonë, Banka Botërore paralajmëroi edhe një herë më shumë se rritja afatgjatë kërënohet nga borxhi i lartë kombëtar.
E vetmja anë pozitive e vendeve të Ballkanit Perëndimor është rezistenca që ka treguar sektori i tyre bankar, pa falimentime të rëndësishme, por edhe një herë, eksperti i Bankës Botërore theksoi se kreditë e këqija vendosin nën rrezik serioz edhe këtë sektor.
Top Channel