Mourinho dorëzohet: Kampionati ka përfunduar

17/12/2012 09:40

Jose Mourinho kësaj radhe nuk ka pasur ankesa për lojtarë të caktuar pas barazimit 2-2 të Real Madrid me Espanyol. Skuadra fali shumë para portës, ishte teoria e trajnerit portugez. Ndërsa përfundimi ishte: “Kampionati është i pamundur të fitohet tashmë.”

“Lojtarët e luajtën ndeshjen mirë, por na mungoi qetësia dhe fati. Meritonim fitoren për përpjekjet që bënë futbollistët e mi, por humbëm raste të pastra për shënim. Nuk kam kritika ndaj futbollistëve”, theksoi trajneri i madrilenëve.

Më tej, ai sqaroi pse skuadra ka 13 pikë diferencë me Barcelonën e vendit të parë: “Nuk jemi mirë si më parë. Nuk ka gëzim pa rezultate. Me rastet që kishim sot, vitet e kaluara do të bënim 3, 4 apo 5 gola.”

Në lidhje me situatën në renditjen e kampionatit, Mourinho u shpreh qartë: “Titulli kampion është praktikisht i pamundur. Janë shumë pikë për tu rekuperuar (13). Vitin e kaluar ne kishim 10 pikë diferencë në mars dhe e ruajtëm distancën. Tashmë përmirësimi në kampionat do të na shërbejë për Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampioneve.”

Top Channel