Barcelona shkatërron 4-1 Atletikon

17/12/2012 00:00

Barcelona nuk ka kundërshtarë të denjë në këtë sezon në kampionatin spanjoll. Përballja me Atletikon ishte në barazpeshë vetëm për 30 minuta, ku skuadra madrilene e udhëhequr nga Falkao arriti edhe të kalojë në avantazh.

Ishte pikërisht numri 9 i Altetikos që mposht mbrojtjen dhe portierin katalanas Victor Valdes me një parabol shumë të bukur. U desh ky gol që Barcelona të reagonte e të merrte frenat e lojës në dorë. Një goditje spektakolare e Adrianos sjell golin e barazimit vetëm pas 5 minutave, ndërkohë që në mbyllje të pjesës së parë është Buskets, i cili gjakftohtë manovron bukur në zonë e shënon golin e avantazhit.

Pjesa e dytë i takon yllit argjentinas Lionel Mesi i cili shënon edhe dy gola të tjerë në këtë javë duke thelluar rekordin e tij e duke e çuar në 90 gola të shënuar në një sezon, si askush më parë. Me këtë fitore Barcelona shkon në 9 pikë diferencë me vendin e dytë që mban Atletiko e Madridit, ndërkohë që 13 pikë shkon diferenca me Realin e Madridit i cili sërish nuk ka fituar në këtë javë të 16-të.

Skuadra e Mourinjos u ndal në barazim 2-2 nga Espanjoli në Bernabeu. Golave të Kristiano Ronaldos dhe Koentraos, i përgjigjet Serxhio Garsia dhe Albin në minutën e 88.

Një tjetër barazim ky që e largon shumë Realin nga Barcelona dhe i ushtron akoma më shumë presion ambientit të trazuar tashmë të skuadrës mbretërore.

Top Channel