Antarësimi i Kosovës në UEFA

17/12/2012 23:50

Kosova ka vendosur që të bëjë një hap tjetër, drejt ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës.

Ndonëse statuti i FIFA-së nuk garanton që përgjigja të jetë pozitive, Federata e Futbollit të Kosovës pritet që, shumë shpejt, të aplikojë për pranim në shtëpinë botërore të futbollit.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, shpreson që, me rishikimin e statutit të FIFA-s, vitin e ardhshëm, të ndryshohet një rregull, i cili do t’i hapte rrugë antarësimit në FIFA. Sipas tij, një kriter tjetër, ai që një vend duhet të jetë i njohur ndërkombëtarisht, është përmbushur, pasi Kosovën tani e njohin shumica e shteteve anëtare të OKB-së.

Pengesë në statusin aktual të FIFA-s është pika 10.2, ku thuhet se “anëtarësimi lejohet vetëm nëse një asociacion është anëtar aktual i një Konfederate”, dhe FFK-ja nuk është anëtare e UEFA-s.

Në një intervistë për Top Channel, Vokrri shpreson që statuti i FIFA-s të pësojë ndryshime dhe ato të jenë në favor të futbollit kosovar.

Ky hap i Federatës së Futbollit të Kosovës vjen vetëm pak ditë pasi, të premten, Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s vendosi që të lejojë skuadrën e femrave, amatorët, grupmoshat e reja dhe klubet të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare, por jo edhe Përfaqësuesen A të Kosovës.

Për ish-futbollistin e Fenerbahçes së Turqisë, Nimes të Francës, Prishtinës e Partizanit, është pritur më shumë, megjithatë sipas tij, ky është hapi i parafundit para pranimit të Kosovës në FIFA.

Vokrri thotë se ka mjaft skuadra nga Superliga e Kosovës, që mund të zhvillojnë ndeshje miqësore me klube të shteteve tjera, dhe këtë mund ta bëjnë duke filluar nga tani, pasi vendimi i Komitetit Ekzekutiv të FIFA-s ka hyrë në fuqi.

Top Channel