Tre kompani gjigande shumëkombëshe i kanë shprehur interesimin e tyre Athinës zyrtare, për kërkimet sizmike dhe gjetjen e burimeve të naftës në veri të detit Jon, megjithëse ende nuk janë gati të dhënat për rezervat natyrore të kësaj zone.
Bëhet fjalë për shoqëritë Total, Statoil dhe EXXON, që janë gati të fillojnë eksplorimet në trekëndëshin detar midis ishujve të Korfuzit, Kefalonisë dhe Italisë.
Zona detare përmbledh një sipërfaqe prej 220,000 km katrorë, që fillon nga ishulli Oton deri në gjirin e Libisë, pikërisht në pjesën për të cilën Tirana dhe Athina kishin nënshkruar një pakt në vitin 2009, të cilin më vonë e ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.
Megjithëse, që prej atehere, midis dy vendeve ka pasur interpretime të ndryshme për kufirin detar, sipas një artikulli, që publikon faqja e internetit të kanalit televiziv SKAI, fillimi i kërkimeve, pikërisht në këtë zonë, përbën de facto ushtrim të së drejtës së sovranitetit, në kuadrin e zhvillimeve të ardhshme për çështjen e Zonës Ekonomike Ekskluzive, që ende Greqia nuk e ka zgjidhur me fqinjët e saj; Shqipërinë në perëndim dhe Turqinë në lindje.
Sipas gazetave të ditës së diel, Real Neës dhe Kathimerini, në fund të janarit pritet që kompania norvegjeze Petrolium-Geo-Services, do të mundësojë gjetjen e karbohidrateve në detin Jon dhe në zonën detare në jug të Kretës, ndërsa Greqia ka marrë edhe një shumë prej 700,000 euro nga kjo kompani, pasi i ka dhënë asaj statistikat më të vjetra të këtyre pellgjeve naftëmbajtëse.
Nëse çdo gjë do të shkojë mirë, në prill shteti grek do të zgjedhë një prej tre kompanive shumëkombëshe, që do të vendosin pajisjet e tyre të shpimit në këto zona.
Javët e fundit vihet re një interesim i jashtëzakonshëm në Greqi, për fillimin sa më shpejt të shpimeve gjeologjike, ndërsa janë hapur debate të mëdha për rezervat e naftës dhe të gazit natyror në vend, për të cilat një studim sekret, që i është dorëzuar kryeministrit Samaras para disa ditesh, vlerëson këto pasuri natyrore në shumën kolosale prej 1,3 trilionë euro për dekadën e ardhshme, e thënë ndryshe gati katër herë më shumë se borxhi grek.
Top Channel