Tigre bojkoton finalen me San Paolon

13/12/2012 00:00

Kur ka mbetur pak më shumë se 1 vit e gjysmë nga finalet e botërorit, futbolli brazilian njolloset edhe njëherë tjetër nga ngjarje aspak të këndëshme në sytë e FIFA-s.

Bëhet fjalë për incidentin e ndodhur në ndeshjen e kthimit për finalen e Kupës Sudamerikane (ekuivalentja e Ligës së Europës) mes brazilianëve të San Paolos dhe argjentinasve të Tigres.

Pjesa e parë e takimit u mbyll me rezultatin 2-0, ndërsa e dyta nuk nisi kurrë. Kjo për shkak se skuadra argjentinase refuzoi të zbresë në fushë me argumentimin se gjatë pushimit të ndeshjes futbollistët e saj ishin dhunuar në korridoret e stadiumit nga forcat e sigurisë, që në të vërtetë duhej t’i mbronin ata.

Trajneri i Tigres tha madje se forcat e sigurisë kishin kërcënuar me armë se do t’i vrisnin, ndërsa televizionet argjentinase shfaqën imazhe nga dhomat e zhveshjes së Tigres, ku tregoheshin shenja gjaku në mur dhe fytyra e enjtur nga goditjet e marra të njërit prej drejtuesve teknikë të skuadrës.

“Policia hyri në dhoma e zhveshjes dhe na goditi me shkopinj gome”, deklaroi trajneri i argjentinasve, Nestor Gorosito.

Pas rezultatit 0-0 të takimit të parë të finales që u luajt në Argjentinë, u paralajmërua një tension mes dy skuadrave dhe tifozerive përkatëse. San Paolo nuk lejoi futbollistët e Tigres që të kryenin stërvitjen në stadium një ditë para ndeshjes finale, ndërkohë që në fund të pjesës së parë plasi një zënkë mes futbollistëve të të dyja skuadrave që u kushtoi kartonin e kuq Mirandas dhe Gaston Diazit.

Top Channel