
Komisioni parlamentar i ekonomisë miratoi me votat e maxhorancës një ligj, i cili njëson akcizën për kafen duke rritur barrën për atë që përpunohet në vend.
Deri tani akciza e kafesë ka qenë e diferencuar, 35 lekë për kafenë e përpunuar në vend dhe 140 lekë për atë që vjen e gatshme nga importi.
Me ligjin e ri, fillimisht qeveria e njehsoi akcizën në 140 lekë si për kafen e gatshme ashtu dhe për atë të importit.
Masa, që rriste me gati 5 herë taksat për kafenë e përpunuar në vend, rrezikonte mbijetesën e gjithë biznesit vendas të kafesë, duke e rikthyer tregun nën zotërimin e importit.
Përballë kësaj situate, qeveria bëri një tjetër ndryshim duke e ulur akcizën nga 140 në 60 lekë për kilogram, si për kafen e importit ashtu edhe për atë që përpunohet nga biznesi vendas.
Ky është dhe varianti përfundimtar që u votua në Kuvend, ku edhe pse u paraqit si ulje, në të vërtetë rrit fort barrën për prodhuesit vendas.
Më saktësisht, akciza për biznesin e përpunimit të kafesë rritet me gati dy herë, ndërsa ajo për kafen që vjen e gatshme nga importi ulet me rreth 2.5 herë.
Sipas përpunuesve, kjo masë, që favorizon qartazi importin, do të ketë efekte të forta negative tek biznesi vendas i kafesë, i cili përveçse shton vlerë në ekonomi duke reduktuar defiçitin tregtar, punëson edhe me qindra punonjës.
Top Channel