Drogba, tek Juventusi në janar?

12/12/2012 00:00

Didier Drogba mund të jetë dhurata e Vitit të Ri për të gjithë juventinët, të paktën sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”.

Njeriu që udhëhoqi Chelsea drejt fitimit të edicionit të fundit të Champions League, është gjithmonë e më pranë kalimit tek kampionët e Italisë, pasi ka vendosur që të largohet nga Shangai në janar.

Me Llorenten që duket se është “prenotuar” për merkaton e verës, torinezët po mendojnë për një dyshe spektakolare që do të vinte përkrah baskut futbollin afrikan.

Aktualisht, bisedimet me 34-vjeçarin duket se kanë ngecur tek kohëzgjatja e kontratës, me Drogbanë që dëshiron një marrëveshje 3-vjeçare dhe klubin që për momentin ofron një marrëveshje deri në verën e 2014-s.

Nëse operacioni do të realizohet, Juventusi do të ketë avantazhin që do të përdorë Drogbanë në ndeshjet e Champions League, ndonëse ai pritet të mungojë për rreth një muaj pas 19 janarit, si rrjedhojë e pjesëmarrjes që do të bëjë me Bregun e Fildishtë në Kupën e Kombeve të Afrikës.

Top Channel