Liderët e partive parlamentare në Kosovë janë takuar për dy orë, por pa arritur ndonjë marrëveshje për disa çështje themelore të reformës zgjedhore.

Sa do të jetë pragu zgjedhor, si do të jenë listat e kandidatëve për deputetë, të hapura apo të mbyllura, në sa zona zgjedhore do të ndahet Kosova nga një sa është aktualisht dhe si do vendoset përbërja e KQZ-së, janë pyetjet që ende nuk kanë një përgjigje të përbashkët.

Kryetari i PDK-së dhe njëherësh kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë pas takimit se PDK është që Kosova të ndahet në 6 zona zgjedhore dhe që listat të jenë të hapura, siç janë aktualisht, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë që të arrihet konsesus në spektrin politik.

“Ne jemi liderët politikë të Kosovës dhe do të diskutojmë e do të gjejmë mënyrën më të mirë për një zgjidhje përfundimtare konsensuale, që e thjeshtëson sistemin zgjedhor dhe që e përshpejton këtë proçes, në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira dhe demokratike, të njohura edhe prej qytetarëve dhe spektrit politik”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkaq, kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka bërë të ditur se janë dakorduar që të mos shkohet në zgjedhje të reja pa u bërë reforma zgjedhore.

“Kemi pranuar disa prej parimeve themelore, një prej të cilave është që të mos shkohet në zgjedhje pa e bërë reformën zgjedhore dhe dyta që të pastrojmë listat zgjedhore, sepse është vështirë të shkohet në zgjedhje pa pastrimin e tyre. Gjithashtu, ramë dakord që të sigurojmë përfaqësimin adekuat të femrave në Kuvend, që do të jëtë 30 për qind dhe që sistemi zgjedhor të jetë i thjeshtë”, ka nënvizuar Mustafa.

I pranishëm në këtë takim për herë të parë ka qenë edhe kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurti, i cili ka mbrojtur idenë që Kosova të mbetet një zonë zgjedhore dhe që listat e kandidatëve të jenë të hapura.

Ky takim është thirrur nga kreu i LDK-së, Isa Mustafa dhe aty kanë marrë pjesë edhe ambasadorë të vendeve të QUINT-it. Mustafa ka paralajmëruar se një takim tjetër do të mbahet brenda 10 ditësh, por sipas tij këtë vit reforma zgjedhore nuk do të përfundojë.

Gjatë verës, Lidhja Demokratike e Kosovës e braktisi komisionin e posaçëm parlamentar me arsyetimin se marrëveshja politike Thaçi-Mustafa-Pacolli, që parasheh zgjedhje presidenciale nuk po respektohet.

Por, sipas liderit të LDK-së, kjo parti reformën zgjedhore do ta trajtojë veçmas nga reforma kushtetuese. Mustafa ngul këmbë se ndryshimet kushtetuese do t’i votojnë në Kuvend vetëm nëse Presidentja garanton që në afatin prej 6 muajsh do të hapë mundësi për shpalljen e zgjedhjeve të presidenciale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA