Interi mposht Napolin, merr vendin e dytë

09/12/2012 00:00

Interi i mori vendin e dytë Napolit pas fitores 2-1 në San Siro dhe tashmë e sheh veten 4 pikë larg Juves kryesuese.

Golat për skuadrën e Stramaccionit u shënuan në pjesën e parë nga Fredi Guarin dhe Milito.

Goli i vetëm i napolitanëve u shënua në fillimin e pjesës së dytë nga Maggio.

Milani i Allegri-t nuk e ngadalëson hapin dhe në shtëpinë e Torinos
siguron fitoren e tretë radhazi në kampionat, sërish me përmbysje.

Ka kaluar Torino në fakt në avantazh me Santana (28’), pas “dhuratës” së Nocerino-s. Në minutën e 40-të barazon Robinho, por pas pushimit midis pjesëve është pikërisht Milan që dominon, falë edhe gafave të Gillet.

Nocerino gjen golin e avantazhit 1-2 në të 53-tën, ndërsa Pazzini (61’) dhe El Shaarawy thellojnë rezultatin. Bianchi për Torinon ngushton distancën 10 minuta nga fundi i takimit, për të fiksuar rezultatin e ndeshjes 2-4 në favor të kuqezinjve.

Juve vuan në Palermo, si për shkak të kundërshtarit ashtu edhe prej kushteve të rënduara të fushës, por në fund i dhuron kënaqësi Conte-s, duke e përshëndetur me një fitore rikthimin e tij pas skualifikimit.

Në “Barbera”, përfundon 0-1 për bardhezinjtë, një ndeshje e dyluftuar nga të dy ekipet, por që shkon në favor të “Zonjës së Vjetër”, falë aksionit të Vucinic, i cili në të 50-n i jep një asist Lichtsteiner, i cili nuk mund të gabojë në gjetjen e kuadratit.

Shpresat e palermitanëve shuhen pas rreth 30 minutash, kur Morganella ndëshkohet me karton të kuq, pas dy kartonave të verdhë radhazi.

Në ndeshjet e tjera, Pescara mposht 2-0 Genoa-n, ndërsa Catania e Chievo triumfojnë në transferta, respektivisht ndaj Siena-s e Cagliari-t. Fundjava e Serie A ka nisur ditën e djeshme me dy fitoret e Romës dhe Atalantës respektivisht ndaj Fiorentinës 4-2 e Parmës 2-1.

Top Channel