Pas disa kohësh në luftë me sëmundjen, humb jetën ish-deputeti socialist
Në ditën e tetë të zhdukjes së Julian Çelës, babai i tij, Skënderi, i
cili është nëndrejtori i antiterrorit në SHISH, denoncon ngjarjen në
Prokurorinë e Tiranës. Pasditen e djeshme, ai ka komunikuar me zyrtarët e
akuzës, duke dhënë detaje nga zhdukja e 10-vjeçarit, më 30 nëntor, në
zonën e Laprakës në Tiranë.
Burime zyrtare nga akuza e kryeqytetit thanë për gazetën “Shqip” se Çela pretendon se nuk i është kthyer djali në banesë, madje ka treguar me detaje të gjithë ngjarjen, që nga sjellja e djalit të tij, shoqëria në Laprakë, ditët para zhdukjes dhe 30 nëntorin, ku kishte qenë deri në orën 16:00, pasi më vonë nuk rezulton ta ketë parë njeri. Akuza e kryeqytetit tha se ka filluar veprimet e para hetimore, ku do të rimerren në pyetje të gjithë personat që e kanë parë, ku dëshmitarja kryesore është padyshim pronarja e qendrës së internetit, e cila ka dëshmuar se “Julin e thirri dikush”. Megjithatë, bashkëpunimi për gjetjen e tij sërish është në dorë të policisë, e cila ka të gjitha mjetet, por edhe personat në terren, që mund të marrin informacion të drejtpërdrejtë.
Zhdukje apo largim?
Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se Skënder Çela ka pretenduar se nuk i është kthyer djali në banesë, ndërsa ka kërkuar nga Prokuroria e Tiranës që të nisë menjëherë hetimet. Deri dje, sipas burimeve zyrtare, në akuzën e kryeqytetit nuk kishte mbërritur asnjë material apo informacion policor për këtë çështje, pasi policia ende nuk kishte një informacion të saktë sesi duhet ta referonte çështjen. Verifikimet e policisë nuk flasin për një rrëmbim apo zhdukje misterioze, por vetëm largimin me dëshirë të 10-vjeçarit. Madje, pretendon policia, katër ditë pas zhdukjes, Juliani është parë në një fast-food, ku ka marrë një hamburger dhe është larguar pa paguar. Për këtë episod, ka edhe një dëshmitare, e cila tregon se djali që ka marrë hamburgerin ngjason shumë me djalin që i ka dhënë me foto policia. Megjithatë, familjarët e Julianit pretendojnë se një gjë e tillë është e pavërtetë dhe se provat e policisë po deformojnë ngjarjen. Nisur edhe nga ky “konflikt”, familjarët kanë kontaktuar prokurorinë, që të hetojë këtë ngjarje me seriozitet, pasi, krahas largimit me dëshirë, dyshojnë për një rrëmbim.
Pretendimet e babait
Nëndrejtori i antiterrorit në SHISH, Skënder Çela, ka komunikuar dje me zyrtarët e akuzës së kryeqytetit, pas bashkëpunimit 8-ditor me policinë, ku nuk u arrit të ngrihej një pistë për zhdukjen e Julianit 10-vjeçar. Kërkesat e tij ishin të thjeshta dhe të prera: të hetohet zhdukja. Ndërsa më pas, pa dashur të japë pista hetimore, u ka thënë hetuesve se djali i tij nuk i është kthyer në banesë prej tetë ditësh. “Kemi kontaktuar me Skënder Çelën dhe kemi marrë një dëshmi paraprake të tij. Pas verifikimeve paraprake dhe koordinimit të punës me policinë, e cila është marrë me këtë rast, do të kërkojmë një dëshmi të plotë të Skënder Çelës më vonë” pohojnë burimet e akuzës. Megjithëse sot mbushen 9 ditë nga zhdukja e Julianit, ende policia dhe prokuroria nuk kanë asnjë pistë konkrete, por vetëm informacione që konsiderohen pa vlerë. Një “hetim” më të detajuar e kanë bërë familjarët e të zhdukurit, të cilët kanë marrë në pyetje të gjithë personat që pohojnë se e kanë parë Julin më 30 nëntor. Madje, kanë avancuar më shumë sesa policia, duke verifikuar në kohë rekord informacionet që vinin në adresë të tyre, nga qytetarë të thjeshtë. Ata kanë vendosur fotografi të 10-vjeçarit në kryqëzimet e Tiranës, pranë shkollave, në mure, pemë dhe stacione autobusi. Duke qenë se babai i Julianit punon në SHISH dhe e njeh mirë mbledhjen e informacionit, ai u ka kërkuar të afërmve që të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke i ndarë në zona të caktuara. Megjithatë, rezultatet kanë qenë të pakta, pasi nga këto verifikime ende nuk është gjetur asnjë e dhënë për Julianin.
Top Channel