Lirimi i banesave të ish-pronarëve është shoqëruar me protesta në qytetin e Durrësit. Në mbështetje të Zyrës së Përmbarimit dhe policisë private kanë dalë edhe shërbimet e policisë së rendit, të cilat kanë qenë të vendosura në zbatimin e aktit normativ të Këshillit të Ministrave.
Lirimi i banesave të ish-pronarëve ka nisur nga Rruga Tregtare, pranë bashkisë së Durrësit, ku përmbaruesit kërkuan ekzekutimin e urdhërit për lirimin e katit të dytë të një ndërtese në pronësi të familjes Goxhaj.
Akti i ndërmarrë ka nxitur jo vetëm reagimin e familjarëve që u nxorrën jashtë, por edhe të anëtarëve të tjerë të Shoqatës së qiramarrësve që ndajnë të njëjtin problem me ta dhe pritet të lënë shtëpitë në ditët e ardhshme.
Ekzekutimi i urdhërit është vështirësuar edhe për shkak të mungesës së përfaqësuesit të bashkisë, që duhet të ishte prezent në zbrazjen e dhomave nga pajisjet e qiramarrësve.
Situata është acaruar, ndërsa të ftohtët dhe tensioni kanë ndikuar edhe në gjendjen shëndetësore të familjarëve, njëri prej të cilëve ka përfunduar në urgjencën e spitalit.
Top Channel