Propozimi i Kryeministrit të Shqiperisë, Sali Berisha për ndryshimin e ligjit për shtetësinë, i cili do t’u mundësonte shqiptarëve jashtë kufijve të marrin nënshtetësine shqiptare automatikisht, ka ngjallur mjaft reagime në Prishtinë.

Shumë shtetas kosovarë mësynë dyert e ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë, jo thjeshtë për të aplikuar, por me dëshirën për t’u pajisur në mënyrë të menjëhershme me pasaportë shqiptare.

”Me pasaportën e Shqipërisë mund të udhëtohet në shtetet e huaja dhe duke qenë se kemi fëmijët jashtë, prandaj kemi ardhur këtu. Për ne, duhet të kemi edhe nënshtetësinë e Kosovës, edhe atë të Shqipërisë. A kemi të drejtë që jemi këtu? Sipas Berishës po”, deklaroi Hasan Gashi, një qytetar i interesuar për nënshtetësinë në mikrofonat e “Top-Channel”.

Vargut të qytetarëve, të cilët duket se nuk e kanë kuptuar drejt kryeministrin e Shqipërisë i është bashkuar edhe Lëvizja për Bashkim. Zyrtarë të kësaj partie dorëzuan 300 formularë të plotësuar nga qytetarët me 28 nëntor në kuadër të iniciativës simbolike për dhënien e shtetësisë shqiptare.

”Kërkuam që të shkojnë ku duhet dhe nëse ky ligj do të hyjë në fuqi, këta qytetarë që e kanë mbushur me kaq entuziasëm aplikimin, përse jo të mos jenë ata të parët që do të shpërblehen me marrjen e nënshtetësisë shqiptare”, deklaroi Valon Murati, i “Lëvizjes për Bashkim”.

Edhe telefoni i konsulles shqiptare, Lorena Gjana, nuk pushon nga qytetarët të cilët kërkojnë shpjegime rreth marrjes së shtetësisë.

Gjana, fillimisht sqaroi për opinionin vizitën e zyrtarëve të Lëvizjes për Bashkim të cilët sipas saj thjeshtë kanë vazhduar simbolikën e 28 nëntorit.

Formularët e dorëzuar janë jo zyrtarë sepse vijnë nga një institucion që nuk ekziston, siç është Bashkia e Prishtinës (shpjegim: në Kosovë, Bashkia quhet Komuna e Prishtinës), rrjedhimisht këto nuk mund të pranohen nga ambasada e Shqipërisë dhe të procedohen më tutje.

”Këto aplikacione janë të pavlefshme, pasi për marrjen e nënshtetësisë shqiptare duhet të plotësohet një dosje specifike për këdo. Bëhet fjalë vetëm për një listë emrash, që i janë komunikuar ambasadës se janë të interesuar për marrjen e nënshtetësisë, por nga ambasada dhe autoritetet shqiptare konsiderohen si aplikacione të pavlefshme, pasi nuk shoqërohen me dokumentat përkatës”, deklaroi konsullja shqiptare.

Sipas zyrtarëve, interesimi i kosovarëve për pasaportë shqiptare është i madh, por me të kuptuar kushtet aplikimi nuk vazhdon më tej.

Këtë vit, sipas konsulles shqiptare janë plotësuar vetëm pesë aplikacione, nëpërmjet ambasadës apo në mënyrë të drejtëpërdrejtë të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë.

”Kryesisht, janë shtetas që kanë kryer martesa me shtetas shqiptarë dhe kushte për marrjen e nënshtetësisë kështu janë më të lehta. Ata që kanë fituar pasaportën, kanë plotësuar më parë të gjithë kushtet për marrjen e shtetësisë”, deklaroi Gjana.

Deri në kohën kur do të ndryshojë ligji për nënshtetësi, shtetasit e huaj, siç konsiderohen edhe shtetasit e Kosovës, nuk do të mund të pajisen me pasaporta shqiptare nëse nuk i plotësojnë një varg kushtesh, në mesin e tyre edhe qënien rezident në Shqipëri për 3-5 vjet, në varësi të rasteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA