Vendosja e emrit të fëmijës është padyshim një ndër kënaqësitë më të mëdha kur bëhesh prind. Të gjithë kërkojnë një emër të veçantë që në një farë mënyre plotëson një dëshirë të tyren.
Zgjedhja bëhet në mënyra të ndryshme. Dikush plotëson dëshirën e të afërmve, dikush zgjedh një emër shqiptar, një tjetër do një emër modern, universal.
Në gjendjet civile thonë se tendencë këtë vit janë emrat e shkurtër. Por cilët janë emrat më në modë të vitit 2012? Në gjendjen civile nr. 5, që është më e madhja në kryeqytet, 4 janë emrat më të përsëritur: “Noel dhe Enio për djemtë; Alesia dhe Amelia për vajzat.”
Por çfarë emrash u kanë vedosur personazhe të njohur shqiptarë fëmijëve të tyre? Pjesa më e madhe duket se ka zgjedhur emra biblikë. Kështu, këngëtarja Aurela Gaçe ka vendosur që vajzës së saj t’i vendosë emrin Grejs që do të thotë “hiri i Perendisë”. Në Amerikë këngëtares i thërrisnin Aurela Grejs për shak se nuk e shqiptonin mirë mbiemrin, gjë që përcaktoi dhe emrin e vogëlushes së saj.
Soni Malaj e quajti vajzën Ana, që do të thotë “Zoti më favorizon mua” dhe që nderon kujtimin e gjyshes së bashkëshortit të saj, Mirko.
Vajza e mexosopranes Vikena Kamenica u quajt Krista sepse lindi për Krishtlindje.
Jonida Maliqi e quajti djalin Dan, që përveçse emër me prejardhje biblike ishte dhe një emër i lashtë ilir.
Ledina Celo gjithashtu i ka vënë djalit një emër shqiptar, Erlis.
Ndërsa përsa i përket VIP-ave në botë, të gjithëve u bëri përshtypje vendimi i Beyonce dhe Jay-Z, të cilët duan ta regjistrojnë si pronë emrin e djalit të tyre, Blu Iv, që asnjë fëmijë tjetër në botë të mos quhet kështu.
Interesant është fakti se fëmijët e aktorëve Ben Aflek dhe Xhenifer Garner, donin ta pagëzonin vëllain e tyre të vogël me emrat e personazhve më të dashur për ta si Piter Pan, Donald Duck, apo kapiten Huk, por çifti vendosi ta quajë të voglin Samuel.
Nje emër kilometrik i ka vënë Uma Thurman vajzes së saj: Rosalind Arusha Arkadina Altalune Florence Luna.
Top Channel