Bregu takon “Miqtë e Europës”

05/12/2012 20:20

“Miqtë e Evropës” mbajtën takimin e përvitshëm në Bruksel mbi rrugëtimin e Ballkanit drejt Bashkimit Evropian, me pjesëmarrjen e zyrtarëve të lartë të institucioneve të BE-së dhe qeverive të rajonit, ku Shqipëria përfaqësohej nga ministrja Majlinda Bregu.

Në pjesën e debatit për forcimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës, TI shpalosi sondazhin e freskët mbi korrupsionin, ku vendi ynë zë vendin e fundit.

“Ndonjëherë keqkuptohet shumë lehtë edhe nga Brukseli, edhe nga disa vende anëtare se të gjitha përpjekjet që vendi ka bërë për përforcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të gjitha standarteve evropiane, bëhen vetëm prej kushtëzimit të BE-së dhe presionit që vjen nga Brukseli. Ne jemi njerëzit dhe politikanët e vendeve tona. Ne jemi pjesë e qeverisë dhe jemi përgjegjës për qytetarët tanë. Ata votojnë për ne, pra standartet që aplikohen për ta duhet të jenë standarte evropiane për qytetarët tanë dhe jo sepse këtë po e kërkon Brukseli”, deklaroi Bregu.

Ndryshe nga deklaratat dhe qëndrimet në Tiranë, ku qeveria fajëson vetëm opozitën, në Bruksel Bregu ia la fajin edhe historisë, sipas saj jo shumë miqësore me vendet e Ballkanit që e nisën “vonë” rrugën drejt BE-së.

I pranishëm në debatin për shtetin e së drejtës, drejtori i përgjithshëm për Zgjerimin, Stefano Sanino e vuri theksin tek besueshmëria e proçesit.

“Duhet respektuar kredibiliteti i proçesit të zgjerimit, kredibiliteti i proçesit të reformave në vendet e rajonit dhe kredibiliteti i proçesit të anëtarësimit kur bëhet fjalë për përgjegjësinë e BE-së. Na u desh të luftonim në mënyrë që të garantonim se ne i respektojmë angazhimet që kemi marrë në të kaluarën, siç po thoja në lidhje me kredibilitetin që proçesi të jetë i vërtetë dhe jo të bëjmë sikur po zgjerohemi dhe të mos e bëjmë dhe se vendet po bëjnë sikur duan të bëjnë reforma dhe nuk po i bëjnë”, theksoi Sanino.

Pjesëmarrësit në forumin e “Miqve të Evropës” debatuan ndër të tjera edhe mbi problemet ekonomike të rajonit, e veçanërisht për problemet e shumta të sektorit të energjisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA