Burrat e shtetit të parë shqiptar

04/12/2012 18:10

Asambleja kombëtare e cila shpalli pavarësinë më 28 nëntor 1912 po hidhte hapin e parë drejt krijimit të një sistemi demokratik. Mbledhja e pestë u zhvillua më datë 4 dhjetor, në prani të 57 delegatëve, prej nga u zgjodh qeveria e parë nga Kuvendi i Vlorës.

Ja cili ishte kabineti i kryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur:

•    Ismail Qemali – Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm
•    Dom Nikoll Kaçorri – Zv/ Kryeministër
•    Myfit bej Libohova – Ministër i Brendshëm
•    Gjeneral Mehmet Pashë Deralla – Ministër i Luftës
•    Abdi bej Toptani – Ministër i Financave
•    Dr. Petro Poga – Ministër i Drejtësisë dhe sistemit Gjyqësor
•    Dr. Luigj Gurakuqi – Ministër i Arsimit
•    Mit’hat Bej Frashëri – Ministër i Punëve Publike
•    Pandeli Cale – Ministër i Agrikulturës
•    Lef Nosi – Ministër i Post-Telegrafit     
                                   
1- Ismail Qemali, kryeministër dhe ministër i punëve të jashtme.
U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me L.Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të 1912. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare atje dhe prej andej shkoi në Vjenë ku mori garaci e mbeshtetje. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar. U kthye me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri dhe shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.

2- Dom Nikollë Kaçorri, Zv kryeministër i Qeverisë së Vlorës. Një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Arqipeshkvisë së Durrësit. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe. Në vitin l909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Elbasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe.

3- Luigj Gurakuqi, Ministër i Arsimit- një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare.Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut me titra(1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit.
 
4- Myfit Bej Gjirokastra (Libohova) – Ministër i Brendshëm
Myfid Bej Libohova është një nga 15 anëtarët e kësaj familje që kanë kontribuar në krijimin dhe mbarevajten e shtetit.

5-Abdi Bej Toptani – Ministër i Financave
Në vitin 1902 organizoi forcat kryengritëse kundër osmanëve në Shëngjergj dhe Shupal. Në nëntor 1912 priti në Durrës Ismail Qemalin dhe e shoqëroi atë deri në Vlorë, ku mori pjesë në ngritjen e flamurit.

6- Mehmet Pashë Dërralla (Tetova) – Ministër i Luftës   
Një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Kontribuonte në Lidhjen e Pejës. Roli i Mehmet Pashë Dërrallës duket në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës.

7-Petro Poga – Ministër i Drejtësisë
Dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe vetëdijes kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës. Krahas kësaj detyre, Qeveria e Vlorës e ngarkoi edhe me detyrën e kryetarit të Gjykatës së Lartë.

8- Mit’hat Frashëri – Ministër i Punëve Publike
Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ku u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX.

9- Pandeli Cale – Ministër i Bujqësisë
Patriot në koloninë e Bukureshtit. Gjithashtu bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mit’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës.

10- Lef Nosi – Ministër i Postëtelegrafës
Ai ishte një nga figurat qendrore që ndihmuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend.

Në total qeveria u përbë nga 10 ministra, me të cilët u ruajt një raport i barabartë sa i takonte përkatësisë fetare: 5 prej tyre ishin myslimanë e 5 të krishterë. E mbi të gjitha, të gjithë të arsimuar në shkollat më të mira të Romës, Vjenës, Stambollit e Athinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA