Udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave në Kosovë është paksa më i ngarkuar dhe ka më shumë parakushte se sa për shtetet e tjera të rajonit.

Ndërsa përsa i përket përmbushjes së kritereve për liberalizimin e vizave, progres është arritur në menaxhimin e integruar të kufirit, në luftimin dhe parandalimin e krimit të organizuar, por shqetësuese për institucionet e Kosovës mbetet lufta kundër korrupsionit, në të cilën nuk është arritur progresi i duhur.

Kështu u tha të hënën në një debat të organizuar nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, ku u prezantua studimi “Vlerësimi i implementimit të politikave të rendit publik dhe sigurisë, në kontestin e proçesit të liberalizimit të vizave për Kosovën”.

Sipas raportimit të “Kosovapress”, Florian Qehaja, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, tha se nga ky hulumtim është arritur në përfundimin se udhërrëfyesi për liberalizimin e vizave për Kosovën është paksa më i ngarkuar dhe ka më shumë parakushte për t’u plotësuar nga sa kanë pasur shtetet e tjera të rajonit.

“Ne kemi vënë re se janë disa parakushte që i janë vendosur Kosovës në këtë udhërrëfyes, mirëpo të njëjtat nuk u janë vendosur shteteve të tjera të rajonit. Po marrim si shembull proçesin e demarkacionit me Malin e Zi, i cili i është vendosur si parakusht Kosovës, ndërsa Malit të Zi jo”, tha Qehaja.

Edhe Besnik Vasolli, nga Ministria për Integrime Evropiane, tha se Kosova ka mbetur e fundit në proçesin e liberalizimit të vizave, edhe pse institucionet e vendit kanë ndërmarrë aktivitete për zbatimin e kritereve, të cilat kanë ndihmuar që ky proçes të mos mbetet shumë prapa.

“Fokus të veçantë do të ketë blloku i tretë, ai që ka të bëjë me sundimin e ligjit dhe rendit publik. Ka disa arritje në këtë bllok, por ka edhe sfida të cilat mbeten ende për t’u zbatuar. Mirëpo, me angazhim të konsiderueshëm dhe në bashkëpunim me të gjithë aktorët, jam i sigurt se do të arrijmë suksese pozitive në muajt e ardhshëm”, pohoi Vasolli.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA