Milani ëndërron një dyshe Neymar-El Sharaawy, ndonëse vetë administratori i deleguar i klubit, Adriano Galliani pranon se do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur.
“Robinho teorikisht i intereson Santosit, por ne nuk jemi të interesuar ta shesim. Megjithatë, është e qartë që dyshja El Sharaawy-Neymar do të ishte me të vërtetë tepër tërheqëse dhe spektakolare”, deklaroi Galliani.
Ndonëse teorikisht nuk ka asnjë tratativë, duke lexuar midis fjalëve të Gallianit, duket se mundësia e ofrimit të Robinhos, plus një sasie parash për kartonin e sulmuesit 20-vjeçar, një prej më të vlerësuarve në botë, është një ide të cilën Milani, pavarësisht vështirësisë, mund ta marrë në shqyrtim.
I pyetur nga mediat italiane për një tjetër futbollist për të cilin kuqezinjtë janë të interesuar, Mario Balotellin, Galliani theksoi: “Aktualisht kemi 32 futbollistë dhe përpara se të mendojmë për të sjellë të tjerë, duhet të zbresim në 25-26. Me të kemi një lidhje afektive dhe simpati të ndërsjelltë, por siç thashë, në fillim duhet të zbresë numri i futbollistëve”.
Top Channel