Aksidentet në Tiranë, faji i viktimave

03/12/2012 00:00

Viktimat e aksidenteve automobilistike në kryeqytet, këmbësorët, janë
“shpallur fajtorë” nga drejtësia, ndërsa autorët, shoferët, nuk marrin
dënimin e merituar, megjithëse shkelin me të “dyja këmbët” rregullat e
qarkullimit rrugor.

Shprehja e popullit se “viktima është gjithmonë fajtor” ka marrë jetë në kryeqytet, ku policia, prokuroria dhe gjykata, nuk kanë dhënë dënimin e merituar të autorëve të këtyre ngjarjeve, të cilat, megjithëse jo me dashje, kanë marrë jetë njerëzish. Vendimet e gjyqësorit, por edhe hetimet e prokurorisë, pa dashur të ndalemi te marrja e provave në mënyrë joprofesionale dhe me mungesa të theksuara nga ana e policisë në një vendngjarje, janë në favor të shoferëve, të cilët, në rastin më të keq, dënohen me kusht apo me kohën e paraburgimit. Sipas një vëzhgimi të gazetës “Shqip”, në disa raste, gjykata ka vendosur, pas këmbënguljes së familjarëve të viktimave, apo të të gjymtuarve, të urdhërojë rifillimin e hetimeve, të cilat më parë ishin mbyllur për “mungesë provash”. Janë gjetur një sërë mangësirash në këto procedime, madje edhe flagrante, si moskryerja e ekspertizave përkatëse, çka mund të sjellin edhe histori hakmarrjesh midis autorëve dhe familjarëve të viktimave, siç ishte edhe rasti i disa javëve më parë në Berat.

Aksidenti me vdekje

Një nga ngjarjet që është vendosur të rifillojnë hetimet daton më 7 prill 2009, ku në segmentin rrugor Kamzë-Institut Bujqësor, në një aksident automobilistik, ka humbur jetën bashkëshorti i kërkueses Shqiponja Marku, i ndjeri Nikoll Marku. Lidhur me këtë aksident ka filluar procedimi penal për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor. Disa muaj më vonë, me vendim të prokurorit, është vendosur pushimi i këtij procedimi. Kërkuesja Shqiponja Marku, me cilësinë e personit të dëmtuar, kërkon prishjen e këtij vendimi. Sipas saj, “Prokuroria e konsideron fajtor burrin tim, Nikoll Marku, pa një hetim të plotë dhe të provuar. Akti i ekspertimit është i njëanshëm dhe jo profesional, për faktin se në akt, ndër të tjera, përmendet fakti se në vendngjarje, në rrugë, në krah të djathtë, ka qenë e parkuar një makinë, pa emër, pa të dhëna, e paparë nga askush, dhe rrjedhimisht e paqenë fare, as makina dhe as versioni i rremë i paraqitur nga eksperti. Varianti i paraqitur në akt se shpejtësia e mjetit ka qenë me 37.6 km/orë dhe se gjurmët e frenimit kanë qenë 9.3 m, është sa qesharakë aq dhe naive, për vetë faktin se eksperti pretendon se drejtuesi i mjetit nuk e ka parë viktimën deri në momentin që e ka përplasur, atëherë ku është bërë frenimi i mjetit dhe e kundërta, nëse e ka parë dhe ka frenuar rreth 10 m, si ka mundësi që mjeti të jetë në gjendje të mirë teknike dhe shpejtësia të jetë 37 km/orë?” pretendohet në kërkesë, që është dorëzuar në gjykatë. Pas hetimeve paraprake, u vendos pushimi i procedimit penal, pasi “fakti nuk parashikohet si vepër penale”. Pas ankesës, gjykata urdhëroi rifillimin e hetimeve.

Plagosja e lehtë

Një tjetër ngjarje për të cilën është vendosur rifillimi i hetimeve, daton më 29 mars 2012. Rreth orës 08:40, në Rrugën e Durrësit, mjeti veturë tip “Fiat Bravo”, duke qarkulluar nga sheshi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të “Zogut të Zi”, ka aksidentuar këmbësorin Simon V., i cili po kalonte rrugën nga krahu i majtë për në trotuarin e krahut të djathtë. Si pasojë e aksidentit, ai është dëmtuar. Dëmtimet hyjnë në kategorinë e atyre që kanë sjellë humbje të aftësisë së përkohshme në punë në masën mbi 9 ditë, plagosje e lehtë. “Prokurori i çështjes, mbështetur në arsyetimin se vepra penale ‘shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’, kërkon që pasoja e ardhur nga aksidenti të jetë vdekja, vendosi pushimin e hetimeve”, thuhet në ankesën që ka bërë i dëmtuari. Në rastin konkret, ky aksident nuk ka sjellë pasojat e mësipërme, por ka shkaktuar dëmtime që kanë sjellë humbje të aftësisë së përkohshme në punë. Madje, gjykata e pranoi këtë kërkesë dhe urdhëroi prokurorisë që të bëjë riekspertim mjekësor për të rishikuar ecurinë e plagëve të fytyrës së të dëmtuarit, pas një periudhe 6-mujore nga dita që ai është paraqitur për vizitë mjekësore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB