Seria A, Juventus fiton në derbi

02/12/2012 08:30

Juventusi u rikthye tek fitorja në derbin e Torinos, në të cilin kampionët e Italisë në fuqi mposhtën rivalët historikë me rezultatin 3-0.

Pas një fillimi të barazpeshuar të lojës, në minutën e 36’ torinezët vështirësojnë gjithçka për veten, me polakun Glik që përjashtohet nga loja, pas një ndërhyrje brutale ndaj Giaccherinit.

Në aksionin pasardhës, pas një prekje me dorë të Bashës brenda zonës së rreptësisë, Juventus fiton një penallti, të cilën nuk e merr përsipër i zakonshmi Vidal, por Pirlo, që gaboi gjithçka dhe dërgoi mbi traversë.

Megjithatë, pjesa e dytë nisi me një frymë tjetër. Në “Juventus Stadium”, vendasit marrin përsipër iniciativën dhe në një krosim në minutën e 57’, Marchisio dërgoi me kokë në rrjetë.

Disa minuta më pas, Giovinco do të realizonte golin e tij të shtatë sezonal dhe drejt fundit, Marchisio realizoi sërisht, duke “firmosur” fitoren e skuadrës së tij në derbi, ashtu siç ndodhte edhe herën e fundit kur dy ekipet e Torinos përballeshin mes tyre, në mars 2009.

Top Channel