Tirana ka fituar 2-1 ndaj Laçit në “Qemal Stafa”, duke u klasifikuar në vendin e tretë, në fundin e kësaj faze të parë.
Nuk e kanë filluar aspak mirë bardheblutë këtë ndeshje, ku në pjesën e parë e panë veten në disavantazh. Por, në të dytën përmbyset gjithçka, pavarësisht terrenit tejet të rënduar. Një tërheqje e imponuar e laçianëve i jep mundësinë Tiranës që, të paktën, të mos e mbyllte me turp këtë fazë, edhe pse loja në fushë linte shumë për të dëshiruar.
Në fillim Klodian Duro, me kokë, dhe më pas Gilman Lika, me një aksion personal, vulosin rezultatin 2-1.
Ndërkohë në dishezë të plotë vazhdon Besa e Kavajës, që regjistron 5 ndeshje pa asnjë fitore. Këtë herë, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja u turpërua 3-1 nga Bylisi, në ndeshjen që u zhvillua në Peqin, për shkak të pezullimit të fushës së stadiumit të Besës.
Tre herë radhazi shënon skuadra ballshiote me Shoshin, Meton dhe më pas, në pjesën e dytë, me Bakiun, ndërkohë që golin e nderit për Besën e shënon Sefa. Pas kësaj humbjeje, skuadra kavajase, nga një surprizë e bukur e sezonit, po i afrohet sërish zonës së ftohtë të renditjes.
Ndeshja që mbylli këtë fazë të parë të Superiores ishte ajo mes Flamurtarit dhe Apolonisë. Skuadra e Rubios arriti të mundë bindshëm, në një fushë që pak lidhej me atë të futbollit, skuadrën e parafundit të renditjes, me rezultatin 3-1. Muzaka në pjesën e parë, më pas në të dytën Memelli me 11-metërsh dhe Lena, vulosin këtë rezultat, që rikthen vlonjatët pas 2 ndeshjesh te fitorja, por gjithsesi në një agoni të plotë, duke qenë se situata brenda klubit dhe me largimin e presidentit Gjika mbetet e paqartë për të ardhmen.
Faza e dytë e kampionatit të Superiores do të fillojë me ndeshjet që luhen më 9 shkurt.
Top Channel