Skënderbeu mposht Kukësin, Teuta e dyta

01/12/2012 00:00

Dy gola në pjesën e dytë i kanë mjaftuar skuadrës së Skënderbeut për të mposhtur Kukësin dhe për të thelluar diferencën e vetme në krye të Superligës.

Në takimin e luajtur në Korçë, pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola falë mbrotjes së mirë të miqve. Edhe e dyta nisi në të njëjtën mënyrë, miqtë nuk lejuan hapësira për kampionët. Por kjo zgjati deri në minutën e 69 kur Orelesi zhbllokoi rezultatin, ndërsa Dimo vulosi fitoren e Skënderbeut me golin e shënuar në minutën e 89-të.

Ndërkohë, Teuta mposhti 3-1 Tomorrin e Beratit parakalon Kukësin dhe ngjitet në vendin e dytë të Superligës. Golat për bregdetarët u shënuan në pjesën e dytë nga Pajaziti në minutën e 76 dhe Tairi në të 79 dhe 86, ndërsa në sekondat e fundit të takimit, Mile shënoi golin e nderit për beratasit.

Ndërkohë, në Krujë Kastrioti vendas mposhti 3-2 Vllazninë duke konfirmuar edhe njëherë tjetër situatën jo të mirë në të cilën gjenden kuqeblutë e drejtuar nga Duro. Shkumbini mposhti 2-1 Luftëtarin e Gjirokastrës duke marrë 3 pikë që mund të rezultojnë me mjaft vlerë në luftën për mbijetesë.

Të dielën luhet 3 ndeshjet e tjera të kësaj jave, ku Tirana do të presë Laçin, Besa-Bylis dhe Flamurtari-Apollonia.

Skënderbeu udhëheq Superligën me 33 pikë, 10 më shumë se sa Teuta e vendit të dytë, Kukësi zbret në vendin e tretë më 21 pikë, po aq sa Laçi që qendron përpara Tiranës me 19 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB