Milan fiton me përmbysje, 1-3 në Catania

01/12/2012 02:30

Në ndeshjen e parë për javën e 15-të të kampionatit italian, Milan “skuq” Catania-n dhe vazhdon ngjitjen drejt vendeve të kreut të klasifikimit.

Kuqezinjtë ndëshkohen që në minutën e 11-të, pas golit të Legrottaglie. Por, në fillim të pjesës së dytë përbyset gjithçka: në të 49-n Barrientos lë fushën e blertë pas kartonit të dytë të verdhë, në të 52-n Milan barazon me anë të El Shaarawy, i cili ndodhej në pozicion të parregullt.

Boateng kalon në avantazh “djallin” në minutën e 56-të, përpara se të ndëshkohej me karton të kuq. Ndërsa në minutën e parë shtesë, El Shaarawy vulos gjithçka në 1-3.

Allegri: Goli i parë ishte jashtë loje. Vuajtëm presingun e Catania-s

Kjo ishte fitorja e tretë radhazi, e dyta në kampionat, por kjo nuk është e vetmja gjë, që “rikujtohet” në shtëpinë e Milanit: “Pozicioni jashtë loje në rastin e golit të parë ishte, – pranon Allegri, – edhe pse nuk ishte e thjeshtë për t’u parë”.

Dalja me të kuq e Barrientos ndryshoi rrjedhën e ndeshjes: “Një masë e drejtë – thekson trajneri kuqezi. – Në pjesën e parë, presingu i Catania-s na vuri në vështirësi, por më pas e qarkulluam më mirë topin, edhe pse gabuam shumë në fazën sulmuese”.

El Shaarawy: Ky është një moment magjik

“Është një moment magjik, i cili nuk po ndalet më, shpresoj që të zgjasë sa më shumë. Sot kemi marrë 3 pikë tepër të rëndësishme, mbi të gjitha për t’i dhënë vazhdimësi ndeshjeve tona të mira, si dhe rezultateve pozitive. Ndaj, jemi shumë të kënaqur për performancën në fushë, le të vazhdojmë kështu”.

Dukshëm, është një Stephan El Shaarawy shumë i kënaqur, ai që komenton suksesin e korrur nga Milan në Catania, falë dy golave të “Faraonit”. Por, cilat janë tashmë objektivat e skuadrës së Allegri-t?

“Nuk kemi objektiva kryesore, – përgjigjet 20-vjeçari, – tani mendojmë vetëm për t’u ngjitur sa më shumë në klasifikim, duke menduar vetëm për ndeshjen e radhës, asgjë tjetër. Po rigjejmë ekuilibrin dhe jam vërtet i kënaqur, që Boateng u zhbllokua. Kështu që, komplimente atij dhe gjithë skuadrës, e cila zhvilloi një ndeshje të mirë”.

Top Channel