Egjiptianët do t’u drejtohen sërish kutive të votimit, këtë herë për të vendosur për ligjin themeltar të shtetit të tyre, Kushtetutën.
Në një deklaratë drejtuar popullit, presidenti Mohamed Morsi njoftoi mbajtjen e referendumit më datën 15 dhjetor, ndërsa ftoi gjithë egjiptianët të lënë mënjanë përçarjen e t’i rikthehen normalitetit e punës për të ndërtuar demokracinë.
Por pikërisht demokracia është ajo që partitë dhe organizatat opozitare pretendojnë se është në rrezik. Sipas tyre, Kushtetuta e propozuar nga Morsi nuk garanton as shtetin laik dhe as demokracinë. Mbështetësit opozitarë prej ditësh protesojnë në sheshin Tahrir.
Gjatë fjalimit të Morsit ata hoqën këpucët, një gjest shpërfillës në kulturën arabe dhe thërrisnin kundër projekt-kushtetutës së paraqitur prej tij. El Baradei, një ndër emrat më të njohur të opozitës, e cilësoi propozimin e Morsit një ligj të shkel të drejtat dhe liritë themelore të njeriut. Ai tha se i gjithë mundi dhe gjaku i derdhur gjatë revolucionit, po rrezikon të shkojë dëm.
Protestat e opozitës nxitën mbështetësit e presidentit që të hidhen në rrugë në mbrojtje të tij. Me portrete të tij nëpër duar dhe parrulla si “Duam ligjin e Zotit” ata mbështesin Kushtetutën e re të vendit.
Sipas analistëve ndërkombëtarë, Egjipti ndodhet në udhëkryq dhe mundësia që vendi të shkojë drejt një regjimi të udhëhequr nga ligjet fetare, është tejet e madhe.
Top Channel