Ribery: Bayern mund të fitojë ndaj kujtdo

30/11/2012 15:50

Frank Ribery, sulmuesi i krahut i Bayern Munchen, ka shprehur besimin e tij të plotë se skuadra ku ai luan mund të arrijë finalen e tretë radhazi në Ligën e Kampioneve dhe këtë radhë ta fitojë atë.

“Luaj tek Bayern Munchen dhe nuk kam frikë asnjë ekip tjetër. Mund të fitojmë ndaj çdo kundërshtari, duke përfshirë këtu Barcelonën dhe Realin e Madridit. Këtë vit kemi një mundësi të re për të fituar Ligën e Kampioneve”, theksoi francezi për ‘Bild’.

Ribery nënvizoi se finalen ndaj Chelsea nuk do e harrojë kurrë: “Humbja ishte e tmerrshme, por edhe nga këto dështime mund të mësosh shumë. Jam i motivuar për të fituar një titull të madh në karrierë. Këtë sezon kemi një skuadër më të fortë, më të pjekur dhe më cilësore. Kam shumë shpresë se do e fitojmë Ligën e Kampioneve.”

Në fund, Ribery tha se Bayern Munchen do të fitojë edhe titullin kampion në Gjermani, ku bavarezët gëzojnë një avantazh prej dhjetë pikësh me vendin e dytë në klasifikim (Bayer Leverkusen): “Të gjithë e duam titullin në Bundesligë. Jam 100% i bindur se do e fitojmë kampionatin.”

Bayern Munchen do të luajë të shtunën (ora 18:30) ndaj kampionëve në fuqi të Gjermanisë, Borussia Dortmund. Verdhezinjtë renditen të tretët, 11 pikë pas bavarezëve dhe një humbje në “Allianz Arena” praktikisht do e mbyllte kampionatin gjerman para pushimit të dimrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA