Monaco është interesuar për David Beckham, futbollistin veteran i cili ka njoftuar se do të largohet nga Los Angeles Galaxy në përfundim të kampionatit amerikan të futbollit (MLS).
Monaco aktualisht militon në kategorinë e dytë të kampionatit francez dhe sipas gazetës ‘Le Parisien’, skuadra me trajner Claudio Ranieri kërkon me çdo kusht shërbimet e ish-kapitenit të Anglisë.
“Skuadra jonë është e re dhe do të ishte fantastike që të kishim në grup një futbollist me karizëm dhe shpirt kompetitiv të lartë si David Beckham”, deklaroi drejtori i përgjithshëm i Monaco, norvegjezi Tor-Kristian Karlsen.
Sipas ‘L’Equipe’, zyrtarët e Monaco kanë vendosur kontakte me rrethin e Beckham dhe në fundjavë mund të takohen për të nisur negociatat.
Mesfushori 37-vjeçar, i cili në karrierë ka luajtur me Manchester United, Real Madrid dhe Milan, vendosi të përfundojë aventurën amerikane, por jo atë futbollistike.
Top Channel