Kukës, humb jetën futbollisti 17-vjeçar

30/11/2012 18:20

Futbollisti i skuadrës së të rinjve të Kukësit, Ilirjan Thaçi ka humbur jetën tragjikisht gjatë zhvillimit të ndeshjes miqësore Kukësi-Prizreni.

Sipas të dhënave të para mësohet se 17-vjecari ka patur probleme me frymëmarrjen dhe pak sekonda më pas është shembur në tokë duke humbur dhe ndjenjat.

Mësohet se gjatë këtij momenti futbollisti Thaçi nuk ka qenë në kontakt as me topin dhe as me ndonjë lojtarë kundërshtar.

Stafi mjekësor i skuadrës së Kukësit i ka dhënë ndihmën e parë ndërkohë që më pas futbollisti 17-vjeçar u transportua drejt spitalit, por fatkeqësisht ndërroi jetë.

Sipas policisë, futbollisti i ri ka pësuar atak kardiak dhe tashmë pritet rezultati i autopsisë.

Ndërkohë, në nderim të kujtimit për futbollistin e ri të Kukësit, Ilirjan Thaci, Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që të gjitha ndeshjet, që do te zhvillohen në Shqipëri ditën e shtunë, të nisin me një minutë heshtje.

Top Channel