Francezët çmenden pas modës Kate

29/11/2012 00:00

Franca është e famshme për ushqim dhe modë, por çiftet e reja gjithnjë e
më shumë po zgjedhin dasmat e stilit britanik apo amerikan. Kërkesa për
tortat shumëkatëshe të dasmës po rritet dhe stilistët e veshjeve të
nuseve po imitojnë fustanin e dukeshës së Kembrixhit, e cila u martua
vitin e kaluar.

Tortat tradicionale franceze të mbushura me krem dhe të mbuluara me çokollatë, kanë qenë në modë prej dekadash. Por Muriel Tepik-Thibault, 31 vjeç, vendosi të zëvendësojë traditën me tortën me gjashtë shtresa të bardhë, kur u martua në maj.

“Unë jam e pasionuar pas kulturës britanike dhe amerikane dhe kështu kërkova të shoh diçka që e kam parë nëpër filma, si ‘Aktualisht Dashuri’ apo ‘Katër Martesa dhe Një Funeral’”, thotë ajo.

Në një vend ku shoqërueset e nuseve janë të rralla, ajo eci në qilim nën shoqërinë e katër shoqeve të veshura me fustane vjollcë.

“Janë kaq shumë dasma që duken njësoj me njëra-tjetrën dhe unë nuk desha diçka tradicionale për festë, siç e patën përjetuar prindërit apo gjyshërit e mi”, thotë ajo.

Tortat e dasmës kanë pasur një rol të rëndësishëm në ceremonitë britanike të martesave që nga kohët e mesjetës. Ato zakonisht gatuheshin me grurë, simbol i pjellorisë. Historia sugjeron se në të shkuarën, tortat u hidheshin përsipër dhëndurëve, duke ia thyer në kokë.

Tortat shumëkatëshe u bënë fillimisht pjesë e dasmave mbretërore dhe të fisnikërisë rreth viteve 1600. Për të mos lejuar tharjen e tyre, ato mbuloheshin me dhjamë, i cili hiqej kur vinte ora e celebrimit. Më vonë, sheqeri u shtua për ta bërë më të shijshme dhe u la mbi tortë.

Mbulimi me akull, siç njihet sot, u shfaq në kohën e Mbretëreshës Viktoria. Sa më e bardhë të ishte torta, aq më e pasur besohej se ishte familja e dhëndrit. Kjo ishte për shkak se sheqeri që të bëhej i bardhë, duhej të kalonte disa procese distilimi që qenë në atë kohë shumë të kushtueshme.

Muriel e pa për herë të parë bashkëshortin e saj Regis Thibault gjatë një feste. Pasi zbuloi se ajo qe sekretare në një revistë për gra, Regis kërkoi për shumë ditë deri sa e gjeti. Takimi i tyre i parë zgjati 18 orë ndërsa ato u mblodhën nëpër rrugën e Parisit deri në mëngjes.

“Kjo ishte një mënyrë shumë e veçantë për takim dhe për njohje me njëri-tjetrin dhe kjo ishte një arsye për të kërkuar një mënyrë të veçantë për ditën e dasmës”, thotë ajo.

Në fakt, gjatë kohëve të fundit, dasma të tilla të stilit britanik nuk janë shumë unike mes çifteve franceze. “Shitjet e tortave të dasmave të stilit anglez po rriten me shpejtësi marramendëse”, thotë Krista Juracek, 33 vjeçe, e cila krijoi dyqanin e parë të këtij stili në Paris katër vite më parë.

“Numri i kërkesave dyfishohet çdo muaj”, thotë ajo. “Mendoj se numri i madh i blogjeve apo artikujve të revistave mbi stilin anglez të dasmave e ka krijuar këtë treg”, thotë ajo.

Ajo është amerikane dhe beson se shumica e francezëve nuk e vlerësojnë sa duhet dallimin mes celebrimeve amerikane nga ato britanike.

“Ajo që kemi zbuluar është se, ndërsa çiftet e të dashuruarve e dinë se si është forma e tortës së dasmës, shumica e tyre nuk e dinë se çfarë përmban ajo brenda”, thotë kryekuzhinieri Taylor McLoughlin, partneri i saj i biznesit që është kanadez.

“Tani për tani jemi përqendruar te receta amerikane me pandispanjë, por do të testojmë edhe recetën e tortës me fruta britanike së shpejti”, thotë ai.

Një amerikane tjetër në Paris, organizuesja e ceremonive Kim Petyt nga Çikago, zakonisht porosiste torta amerikane për bashkëkombësit e saj që jetojnë në Grancë, por dy vjet më parë filloi të marrë kërkesa të tilla gjithnjë e më shumë edhe nga klientët francezë.

“Numri i kërkesave që kam marrë nga nuset franceze që kërkojnë elementë britanikë apo amerikanë është rritur me shpejtësi që nga ajo kohë”, thotë ajo.

Koncepti i punësimit të dikujt për të organizuar dasmën tënde është gjithashtu një ide që vetëm së fundmi ka kapërcyer detin për të hyrë në Europën Kontinentale, por muajin e kaluar, një vëzhgim nga revista franceze “Mariee” zbuloi se një e katërta e nuseve të ardhshme kanë zgjedhur agjencinë për organizimin e ceremonisë.

Anne Clausse, e cila punon në skuadrën editoriale të revistës, thotë se lëvizja drejt celebrimeve të stilit anglo-amerikan ka ndjekur një ndryshim më të përgjithshëm të perceptimit mbi martesën.

“U bë disi e dalë mode ideja që të martohesh mes francezëve, por tashmë kjo po bëhet më popullore”, shpjegon ajo.

“Shitjet e revistës sonë janë rritur me 3.5 për qind vitin e kaluar. Bashkë me shitjet është rritur edhe numri i njerëzve që po kërkojnë mënyra të ndryshme festimesh dasme. Tashmë ne paraqesim më shumë foto nga dasmat britanike apo amerikane”.

Shumë nga rritja e interesimit për stilin britanik lidhet edhe me të ashtuquajturin “efekti Kate”.

Dukesha e Kembrixhit veshi një fustan shumë të gjatë të qepur nga Sarah Burton në dasmën e saj në Londër, e cila u ndoq në të gjithë botën.

“Për shkak se të gjithë panë ceremoninë mbretërore, shumë vajza po e zëvendësojnë mëndafshin francez me veshjen angleze”, thotë Clause.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA