Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, diskuton me studentët e Universitetit të Prishtinës të ardhmen e bashkimit kombëtar.

Në fakt, kjo ishte tema e këtij takimi, në të cilin Kurti ritheksoi rëndësinë e bashkimit të Kosoves me Shqipërinë. Duke e parë bashkimin si të nevojshëm, të pashmangshëm dhe të drejtë, Kurti tha se Kosova s’mund të qendrojë si shtet më vete, ndaj dhe duhet të behet me Shqipërinë.

“Le ta përvetësojmë zanatin e bashkimit dhe të bashkohemi me Shqipërinë dhe pastaj të shkojmë në Bashkimin Europian, në mënyrë më të vërtetë dhe shumë më të qëndrueshme. Pra, të ndarë nga Shqipëria nuk mund të jemi shtet në kuptimin sociohistorik”, tha Albin Kurti.

Ai u ndal edhe te data e 28 nëntorit, e cila sipas tij nuk lidhet thjesht me personalitete e ngjarje, por lidhet me simbolin e shqiponjës.

“Nëse e shikoni këtë flamur me vëmendje, do të vëreni që shqiponja është dykrenare, ky shpend i zi që është në flamurin tonë ka dy krena dhe kësisoj mund ta ketë shikimin 360 gradë. Një kokë e shqiponjës mund të shohë 180 gradë dhe koka tjetër 180 gradë të tjera dhe kësisoj bashkë bëjnë 360 gradë, që do të thotë se kjo shqiponjë reflekton siguri. Me këta dy krena të shqiponjës sonë, ne mund të shohim të sigurt gjithandej. Por, në të njëjtën kohë, mund të shihni që shqiponja jonë është duke klithur, nuk është shqiponjë e qetë. Të gjithë e shihni që e ka gjuhën jashtë dhe e ka gojën e hapur, pra nuk është rehat kjo shqiponjë, nuk është një shqiponjë që ka kryer punë, prandaj është gabim ajo parullë ‘Bac u kry’”, shtoi Kurti.

Historiani Hysamedin Ferraj, ndërkaq, kujtoi të vërtetën historike, bërjen e Shqipërisë shtet më 1912, por gjithashtu ndarjen e saj. Pas shpalljes së Pavarësisë, sipas tij, mendimi politik u nda në dy grupe të mëdha.

Një grupim i madh, që mendonte se duhej menjëherë të fillohej rruga e forcimit të atij shteti, që u la nga Fuqitë e Mëdha të mbledhura në Londër dhe që caktuan kufijtë, që ndajnë edhe sot shqiptarët. Mendimi tjetër, që përfaqëson pothuajse të gjithë, dhe mendimi tjetër i mbetur nga Hasan Prishtina, se duhet filluar menjëherë lufta për të mos pranuar kufijtë dhe për të bashkuar territoret që u ndanë”, tha Ferraj.

Sipas tij, aftësia jonë për të krijuar një shtet e pastaj edhe një shtet tjetër, pastaj edhe shumë shtete, na zbulon paaftësinë tonë për të mos mundur të krijojmë një shtet të vetëm, kështu që sipas tij, ne ndodhemi mes idesë ‘të krijojmë shumë shtete’ dhe paaftësisë për të krijuar një shtet.

Top Channel