Vllaznia arrin të pamundurën me Flamurtarin

24/11/2012 20:35

U duk se Flamurtari do ta harronte shumë shpejt humbjen e mesjavës me Skëndërbeun, por Vllaznia, në të njëjtat pozita të vështira, arrin të barazojë nga 3-0 në 3-3.

Një lojë e qetë dhe shumë e qartë për vlonjatët, që shumë shpejt vihen në dominim të pjesës së parë, si me lojë ashtu edhe me rezultat.

Osmani devijon një asist të Memellit për Muzakën dhe ndeshja zhbllokohet. I mjaftojnë 5 minuta Flamurtarit dhe Muzaka shndërrohet në protagonist duke shënuar vetë këtë herë golin e dytë.

Edhe fillimi i pjesës së dytë është i njëjtë, me Flamurtarin që dominon dhe që gjen golin e tretë me Pepën. Por kur për skuadrën e Flamurtarit u duk se u mbyll ndeshja, rezultati i thellë zgjon krenarinë dhe egon e Vllaznisë.

Të tërhequr prapa, vlonjatët nuk i besojnë syve që vendasit gjejnë forcën për të sulmuar dhe për të filluar rekuperimin e dizavantazhit. Kaosi në mbrojtjen vlonjate sjell dy gola të shpejtë të Rexhës dhe Deliç.

Kur mund të mbyllej gjithçka, Lena dhe më pas Memelli shpërdorojnë raste që mund të vulosnin ndeshjen, por nënvleftësimi i tyre i jep ende shpresë shkodranëve, që brenda 5 minutëshit të kohës shtesë gjejnë golin e tretë të barazimit sërish me Deliç, i cili depërton mjaft lehtë mbrojtjen inekzistente vlonjate.

Një rezultat që nuk vlen për asnjërën sa i përket objektivave, ndërkohë që për moralin e Vllaznisë me sa duket është një barazim që mund të konsiderohet si fitore.

Ndërkohë, rikthehet tek humbja Tirana dhe këtë herë është Bylisi që e mund në shtëpinë e tij 1-0. Skuadra ballshiote, që debutoi këtë fundjavë me trajnerin e rikthyer Senshoi, arriti të gjejë golin në pjesën e dytë me Bakiun, ndërsa kryeqytetasit rezultatun të pafuqishëm për të barazuar e për të marrë pikë.

Në ndeshjet e tjera të së shtunës Kuksi mundi 3-1 Kastriotin, ndërsa takimi Tomorri-Shkumbini mbaroi 0-0.

Top Channel