Britania e Madhe tha se propozimet e fundit të BE-së ishin “një hap në drejtimin e duhur”, por “nuk mund të shkojnë shumë larg”, kështu që duhet bërë më shumë për të shkurtuar shpenzimet.
Polonia dhe vendet fqinje të saj, ish-komuniste, duan që shpenzimet aktuale të ruhen në po të njëjtat nivele apo të rriten. Ata mbështeten së tepërmi në fondet e dhëna nga BE.
Negociatat në Bruksel do të vazhdojnë të premten, ndoshta edhe më tej. Presidenti i Francës, Francois Hollande, refuzoi propozimet për shkurtime të shpenzimeve në agrikulturë, duke thënë se “politika e përbashkët bujqësore nuk është politikë franceze, por europiane”.
Tradicionalisht, Franca ka qenë një prej përfitueseve më të mëdha nga mbështetja e BE-së për fermerët.
Kryeministri i Britanisë së Madhe, David Cameron, foli për rreth gjysmë ore me Presidentin e Këshillit të Europës, Herman van Rompuy, si dhe Presidentin e Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso.
Një deklaratë e Downing Street pas mbledhjes, bënte të ditur se Cameron kishte theksuar rëndësinë për Britaninë, për shkurtimin e shpenzimeve me vlerë 3,56 miliardë euro në 2011-n. Deklarata e quante shkurtimin “plotësisht të justifikueshëm”.
Komisioni dhe disa qeveri të BE-së donin që të hiqej dorë nga ideja e shkurtimeve. Deklarata britanike shtonte se “ishte e qartë që do të duhej ende shumë kohë për të arritur një marrëveshje, që do të reflektonte vendimet e vështira të ndërmarra nga shtetet anëtare”.
Takimet bilaterale zgjatën më shumë nga sa ishte parashikuar, duke shtyrë nisjen zyrtare të samitit me 3 orë, teksa mbledhja filloi në 23:00.
Top Channel