Ministri i Financave, Ridvan Bode paraqiti në komisionin parlamentar të ekonomisë buxhetin e vitit të ardhshëm, ku për herë të parë dha dhe arsyen se pse qeveria shkeli kufirin e borxhit.
“Dilema ka qenë nëse duhej ulur vëllimi i investimeve. Niveli i kreditimit për 9-mujorin ishte 5.8 për qind, me këtë nivel nuk mund të ketë ritme të larta rritjeje ekonomike. Kështu që u thirr politika fiskale vetëm për të reaguar dhe reagimi është në investime publike”, deklaroi Bode.
Zoti Bode tha se qeveria po merr borxh vetëm për investime që nxisin rritjen ekonomike dhe jo për shpenzimet e administratës. Por opozita është e shqetësuar.
“Ne mendojmë se ekonomia shqiptare nuk mund të mbajë mbi supe një borxh prej 895 miliardë lekësh”, deklaroi anëtarja socialiste e komisionit, Mimi Kodheli. “Atë kemi kusht, rritjen ekonomike. Nuk kemi kusht nivelin apo borxhin”, replikoi Bode.
Por Kodheli shtoi se situata me borxhin po del jashtë kontrollit pasi pas rrezikimit të kufirit 60 për qind, qeveria nuk ka vënë një limit të ri në ligj.
“Të gjitha këto neve na bëjnë të besojmë se çdo argument i juaji, për sa kohë nuk vendosni një kufi të ri të borxhit, bie poshtë”, nënvizoi Kodheli.
Zyrtarisht qeveria thotë se borxhi do jetë 62.6% e prodhimit kombëtar, por shifra mund të rritet më shumë pasi nuk përfshin garancitë që do jepen për KESH-in.
“Shikoni vitin 2013. Parlamenti shpërndahet në maj, çdo ndodhë derisa të mblidhet parlamenti i ri? Atëherë do vendoset një limit tjetër, që është hipotetik”, sqaroi Bode.
“Ju nuk mund të kërkoni asnjë kompromis nga komisioni parlamentar, që të nxirrni jashtë kontrollit parlamentar treguesit që parashikon Kushtetuta”, reagoi deputeti socialist Arben Malaj.
Për herë të parë ministri i Financave pranoi se një pjesë e borxhit do shkojë për të shlyer faturat e prapambetura të qeverisë. “Nuk kemi asnjë objekt të ri, ne do paguajmë punimet që bëhen në objektet aktuale”, tha Bode.
Por opozita kërkoi garanci duke deklaruar se pranon të diskutojë me ekspertët e qeverisë për rritjen e borxhit vetëm nëse përmbushen disa kushte.
“Nëse kjo bëhet transparente, ne do na vinin mbi tryezë të gjitha borxhet e sistemit energjitik, të gjitha borxh që qeveria i ka kompanvie që s’janë bërë transparente dhe detyrimet që duhen shlyer në kohë”, vijoi më tej deputetja Kodheli.
Buxheti i vitit të ardhshëm pritet të jetë 409 miliardë lekë, sa 28.53 për qind e propdhimit kombëtar.
Top Channel