Aksidentet në vendin e punës

23/11/2012 16:55

Shqipëria vijon të mbetet në listën e shteteve që nuk plotësojnë kushtet për sigurinë në vendet e punës. Sipas ekspertëve ndërkombëtarë të ILO-s, rezulton se sektorë problematikë vazhdojnë të mbeten ndërtimi, metalurgjia dhe puna në sektorët me kimikate.

Gjithashtu, ekspertët vërejnë se një pjesë e madhe e punëtorëve punojnë në të zezë.

“Situata në Shqipëri është delikate në këtë pikë. Informaliteti është pika më e vështirë kur flasim për zbatim të rregullave, sepse ka shumë njerëz që punojnë në të zezë dhe është e vështirë të punosh kur shumë njerëz punojnë në këto kushte. Katër për qind e GDP-së në botë shkon për aksidentet në punë, por në Shqipëri është ndryshe”, deklaroi Maria Di Carmo Gomes, nga ILO.

“Kam parë shumë punëtorë që punojnë në ndërtim pa kushtet mbrojtëse. Nuk kam shifra zyrtare, por situata gjithmonë duhet të përmirësohet. Ka shumë risk në ndërtim, industrinë kimike, metalurgji dhe shumë fusha të tjera. Nuk mjafton vetëm parandalimi, por përmirësimi i kushteve për punëtorët në çdo fushë ku ata punojnë”, tha Ivan Majer, nga i njëjti institut ndërkombëtar.

Ndërkohë, Ministria e Punës sqaron se gjatë këtij viti janë regjistruar 67 raste të aksidenteve në punë, nga të cilat 19 kanë përfunduar me humbje jete.

Ndërkohë që në vendet anëtare të Bshkimit Europian, nga aksidentet në punë humbasin jetën 5.500 njerëz dhe 159 mijë vdesin si rezultat i sëmundjeve që lidhen me vendin e punës.

Kostoja që lidhet me aksidentet dhe sëmundjet në punë i kushton ekonomisë së Bashkimit Europian të paktën 490 miliardë euro në vit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA