Luiz Adriano kërkon falje

22/11/2012 20:40

Luiz Adriano kërkoi falje për golin e tij polemik ndaj Nordsjaelland në Ligën e Kampioneve, ku sulmuesi i Shakhtar përfitoi nga një kthim topi tek portieri kundërshtar për të shënuar kur lojtarët e skuadrës daneze kishin ndaluar.

Braziliani kërkoi falje pasi mësoi se UEFA do të hapte një hetim ndaj tij për këtë aksion: “Nuk e pashë se si nisi aksioni sepse isha me fytyrë nga porta kundërshtare. Nuk e mora vesh se çfarë ndodhi në mesfushë. Isha aq i përqendruar në lojë sa kur pashë topin që po vinte drejt zonës u sula pa vënë re që mbrojtësit po qëndronin pa lëvizur. Kur e pashë më pas në televizor, kuptova çfarë kishte ndodhur.”

“Më vjen keq dhe i kërkoj ndjesë tifozëve të Shakhtar dhe UEFA-s”, theksoi Luiz Adriano në faqen zyrtare të klubit ukrainas.

“Kurrë më parë nuk jam gjendur në një situatë të tillë. Gjithmonë kam respektuar rregullat e lojës së ndershme. Premtoj që diçka e tillë nuk do të ndodhë më. Do të tregohem më i kujdesshëm”, shtoi braziliani.

Top Channel