Garancia 60 milionë euro e CEZ

22/11/2012 23:02

Kompania e shpërndarjes së energjisë CEZ ka nisur zyrtarisht procedurat për ekzekutimin e garancisë 60 milionë euro nga Banka Botërore.

Lajmi konfirmohet nga vetë Banka Botërore, e cila përmes një përgjigje zyrtare thekson se është njoftuar zyrtarisht nga CEZ, për ekzistencën e një pretendimi kundër qeverisë së Shqipërisë.

Banka deklaron se, në bazë të marrëveshjeve përkatëse të pranuara nga palët, Qeveria dhe CEZ  janë të detyruar të ndjekin procedura të veçanta, për të verifikuar pretendimin e CEZ. Kjo, sipas deklaratës, do të niste fillimisht një periudhë 60-ditore për pajtim, me qëllim zgjidhjen e pretendimit me mirëkuptim mes palëve.

Banka thotë se nxit të dyja palët, që të angazhohen me mirëbesim në këtë periudhë pajtimi. CEZ kishte paralajmëruar publikisht, se do të kërkonte ekzekutimin e garancisë prej 60 milionë euro, pasi pretendon se qeveria shqiptare nuk i është përmbajtur marrëveshjes së privatizimit dhe kushteve të kontratës që ka me të.

Shuma prej 60 milionë euro është lëvruar si kredi për qeverinë shqiptare nga Banka Botërore në vitin 2009, kur qeveria shiti shpërndarjen e energjisë te CEZ. Këto parà u ngrinë si garanci e kërkuar nga vetë CEZ, në momentin e privatizimit, si një masë mbrojtëse, nëse qeveria nuk respektonte kontratën.

Nëse CEZ arrin të provojë përpara Bankës, se qeveria nuk iu përmbajt kontratës, atëherë ajo përfiton garancinë, e cila, ndonëse e lëvruar si kredi nga Banka Botërore, është borxh i qeverisë që do shlyhet nga qytetarët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA