Uji është një nga tre elementët kryesorë të jetës. Më shumë se 70% e trupit tonë përbëhet nga uji, kështu që rëndësia e tij ka qenë gjithmonë jetike për ekzistencën e njeriut dhe aktivitetin e tij të përditshëm.
Megjithatë, infektologia Entela Ramosaçaj thotë se në shumë raste uji është shkaktari i infeksioneve të ndryshme në organizmin tonë.
“Ka një numër të madh infeksionesh që marrin orifgjinën nga ujrat, por duhet përcaktuar se cilat ujrat. Sigurisht, kryesisht janë infeksione që përhapen nëpërmjet kontaminimit të ujit të pijshëm. Sëmundjet si salmonela, diarreja dhe hepatiti janë ndër më të zakonshmet që kontaminojnë ujin”, informoi Ramosaçaj.
Në formën e tij të pastër, uji është lëng pa shije, pa erë dhe pa ngjyrë. Por, shumë banorë të Tiranës dhe qyteteve të tjera shqiptare dëshmojnë se nuk është kjo gjendja në të cilën uji mbërrin në rubinetat e tyre.
Siç sugjerojnë specialistët, uji i pijshëm duhet të jetë brenda të gjitha kritereve të lejueshme, në mënyrë që mos të na dëmtojë organizmin. Por, çfarë ndodh, në rast se për një arsye apo për një tjetër uji merr mikrobe dhe ne infektohemi?
“Infeksionet përfshijnë të gjithë gamën e tyre, duke nisur nga bakteret dhe parazitët. Sigurisht, uji duhet të jetë i ndotur në një sasi të tillë, sa që këto elementë të jenë në gjendje të kalojnë mbrojtjet e trupit, pra të mposhtin imunitetin e tij dhe më pas, nëpërmjet stomakut, të përhapen në gjak ku mund të shkaktojnë sëmundje sistemike e infeksione të përhapura”, shpjegoi infektologia.
Në Shqipëri ka pasur disa raste problematike të infeksioneve masive. “Do të përmendja dy epidemi madhore, në vitet e fundit”, tha Ramosaçaj. “E para është kolera në vitet 1990, që origjinon nga uji dhe merr fillesën nga ujrat e kontaminuar dhe e dyta është hepatiti A, që u lidh edhe kjo me ujin e pijshëm. Kemi pasur shumë raste të sëmundjeve të tilla, kemi pasur edhe probleme të lidhura drejtëpërdrejtë me mbijetesën, pasi moskurimi i këtyre sëmundjeve mund të çojë deri në vdekje”.
Top Channel