Punonjësit e kompanisë CEZ shpërndarje nga e gjithë Shqipëria u mblodhën
në Tiranë për të protestuar kundër arrestimeve në fundjavë të kolegëve
të tyre nga policia e rendit.

Përballë kordonit të policisë, e cila ishte njoftuar një ditë më parë për protestën, protestuesit mbanin pankarta në duar ku kërkonin lirimin e 2 punëtorëve të cilët vazhdojnë të mbahen në ambientet e paraburgimit.

Në fjalën e tyre drejtuesit e sindikatës pjesëmarrës në protestë i kërkuan ministrit të Brendshëm të mos përdorë politikisht punëtorët sepse problemi qëndron mes qeverisë e drejtuesve të kompanisë CEZ. Në fund kordoni i protestuesve u zhvendos para zyrës së Bashkimit Evropian në Tiranë, ku pjesëmarrësit kërkuan ndërhyrjen edhe të ambasadorit të BE-së, Ettore Sequi, për të ndihmuar punonjësit e ndaluar të CEZ.

Procedim penal për elektriçistët e CEZ

Drejtoria e Policisë së Korçës njoftoi sot se ka nisur procedimin penal
në gjendje të lirë për vetëgjyqësi të 11 eketriçistëve të kompanisë CEZ.

Ata akuzohen se më datën 16 nëntor kanë kryer ndërprerjen e energjisë elektrike të stacioneve të pompave të ujësjellësave të disa fshatrave në rrethin e Korçës dhe Devollit.  

Edhe në shumë qarqe të tjera është marrë e njëjta masë ndaj elektriçistëve të CEZ, si në Vlorë e Durrës.

Ata u arrestuan e më pas u liruan për të vijuar procesin penal në gjendje të lirë. Elektriçistët ndërprenë energjinë me urdhër nga drejtuesit e CEZ, urdhër që cilësohet i jashtëligjshëm nga policia e cila me forcë detyroi rikthimin e energjisë.
 

Top Channel