M.City, Balotelli në dyshim ndaj Realit

19/11/2012 13:50

Mario Balotelli është në dyshim për ndeshjen që Manchester City do të luajë të mërkurën ndaj Real Madrid, e vlefshme për grupin D të Ligës së Kampioneve.

Sulmuesi italian i skuadrës kampione të Anglisë ka disa shqetësime në shpatull sipas trajnerit Roberto Mancini, i cili nuk e ka grumbulluar në dy ndeshjet e fundit të kampionatit anglez.

Sido që të jetë, ka shumë mundësi që edhe nëse grumbullohet, Balotelli do e nisë ndeshjen nga stoli pasi Mancini do të luajë me dyshen argjentinase Tevez-Aguero, të cilët shënuan nga dy gola në fitoren 5-0 që City arriti të shtunën ndaj Aston Villa.

Zabaleta dhe Maicon janë në balotazh për një vend në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Javi Garcia do të zëvendësojë Samir Nasri në mesfushë.

Anglezët kanë shumë pak mundësi kualifikimi pasi në katër ndeshjet e para të grupit kanë arritur të grumbullojnë vetëm 2 pikë. Kryesojnë grupin gjermanët e Dortmund me 8 pikë, të ndjekur nga spanjollët e Realit me 7. Ajax në vend të tretë me 4 pikë.

Manchester City-Real Madrid do të luhet ditën e mërkurë, në orën 20:45.

Top Channel